Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Të dy ata gjatë një dalje të përbashkët për mediat u shprehen se bashkëpunimi mes dy vendeve ka qenë gjithnjë shumë i mirë.
Presidenti Begaj tha ndër të tjera se bashkëpunimi për projektin TAP, ishte i suksesshëm.
“…Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.
Biseduam për nevojën e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme.
Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, veçanërisht në sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria.
Infrastruktura energjitike dhe ajo e gazit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të gjitha vendet.
Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, – përmes TAP-it, – lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian.
Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, përmes projektit madhor të TAP-it, ka qenë i suksesshëm. Ne kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga përvoja dhe investimet azerbajxhanase në këtë fushë…”, tha Presidenti Begaj
Shqipëria, sipas tij, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit.
“Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030.
Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi.
Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzore dhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do të shfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, – në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.
Turizmi përbën një sektor të rëndësishëm të ekonomive të dy vendeve tona dhe një fushë me interes të përbashkët. Azerbajxhani ka përvojë të konsiderueshme, nga e cila ne mund të përfitojmë.
I konfirmova Presidentit se ne mirëpresim investimet dhe kompanitë nga Azerbajxhani për zhvillimin e sektorit të turizmit në vendin tonë.
Për të intensifikuar shkëmbimet në fushën e turizmit mes dy vendeve, folëm edhe për mundësitë e heqjes së vizave për qytetarët tanë”, vijoi Presidenti.
Më tej Presidenti nënvizoi: “Biseduam për situatën e sigurisë në rajonin tonë, në Kaukazin Jugor dhe për pasojat e gjithanshme të luftës në Ukrainë.
I konfirmova Presidentit Aliyev se politika e jashtme e Shqipërisë mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë dhe dialogut, me ndërmjetësimin e aktorëve të pranuar ndërkombëtarë, si BE, OKB, OSBE.
Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe nëfavor të zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së…
Përsa i përket rajonit tonë, i shpreha Presidentit mik Aliyev qëndrimin se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë.
Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë.
Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si në Këshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje