Takimi i thirrur nga Edi Rama me kryebashkiakët socialistë në kuadër të përgatitjeve të partisë për fushatën elektorale dhe zgjedhjet e vitit të ardhshëm ka zgjatur rreth dy orë.
Mbledhja është zhvilluar në të njëjtat ambiente në Elbasan ku një ditë më parë kreu i Qeverisë mblodhi grupin parlamentar socialist. Ajo që u mësua është se fill pas takimit me kryebashkiakët dhe lënien e porosive për ta, Rama ka udhëtuar në drejtim të Tiranës për një tjetër mbledhje me grupin parlamentar, këtë herë në selinë e Partisë Socialiste.
Tre kanë qenë porositë që Rama u ka ngarkuar kryebashkiakëve. Në të parën ai u kërkon që të jenë më shumë aktivë nëpër rrjetet sociale, si një mjet ku fushata zgjedhore 2021 pritet të përqëndrohet shumë edhe për shkak të masave shtrënguese nga koronavirusi.
Rama u ka ngarkuar kryebashkiakëve që jo vetëm të promovojnë në rrjetet sociale punët e kryera, por edhe të jenë më aktivë si me postime, ashtu edhe duke u kthyer përgjigje qytetarëve që komentojnë, pak a shumë duke ndjekur edhe shembullin që vetë Kryeministri jep përmes platformave sociale, ku është mjaft aktiv.
Porosia e dytë ka qenë për kryebashkiakët e zonave të prekura nga tërmeti, të cilëve u ka kërkuar që të jenë më afër me banorët, duke u shpjeguar punët e realizuara, arsyet e mosrealizimit të disa të tjerave dhe projekteve që planifikohen në këto zona.
Së treti, Rama ka kërkuar nga kryebashkiakët që në koordinim edhe me zyrat e punës të jenë me aktivë në rritjen e punësimit, duke mos u përqëndruar vetëm në shtet, por edhe në sektorin privat.
Këto zhvillime dhe takime të ngjeshura të Ramës mund të paralajmërojnë ndryshime edhe në kabinetin qeveritar, ndryshime që vetë Kryeministri nuk i ka përjashtuar.
Rama u shfaq me doza pakënaqësie gjatë fjalimit të mbajtur para grupit parlamentar në Elbasan ditën e mërkurë, ku tha se do të merret mendimi i bazës për kandidaturat në zgjedhjet e 2021. Rama paralajmëroi se askush nuk duhet të marrë të mirëqënë vendin si kandidat, paralajmërim që e përforcoi duke deklaruar se “kush e ndjen veten të lodhur, le të ulet në stol”.
Takimet mbërrijnë gjithashtu një ditë para takimit të thirrur nga Presidenti Meta për këshillim për datën e zgjedhjeve. Meta ka ftuar të premten në orën 11:00 Kryeministrin Rama dhe një orë më vonë Lulzim Bashën për të diskutuar për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje