Futboll

Nga “Lady D” te “Beatles”, Totenhem-Liverpul edhe histori, kulturë e art

Nga njëra anë kryeqyteti kozmopolitan i Anglisë dhe në anën tjetër qyteti i muzikës. Totenhemi dhe Liverpuli, dy skuadrat finaliste të Champions League, do të luajnë një derbi anglez, që shkon përtej futbollit.

Rreth 350 kilometra ndajnë Londrën nga Liverpuli, metropolet britanike që sapo e kanë çuar futbollin e tyre në çatinë e Europës. Ndodh në një moment, kur kërcënimi për një “Brexit” të mundshëm mund ta dobësojë futbollin anglez. Kryeqyteti kozmopolitan, Londra, me prozhektorët të drejtuar në zonën e Totenhemit, ku fliten të patën 300 gjuhë të ndryshme, kundër qytetit të “Beatles”, me një trashëgimi shumë të fuqishme. Finalja e radhës në Champions League është edhe një sfidë mes dy kulturash të ndryshme, por “kushërira” nga pikëpamja futbollistike.

Stadiumi i Totenhemit në Londër

Të ngjyrosura me të kuq dhe me sfondin e kurorës mbretërore, kabinat telefonike të Londrës janë një simbol i padiskutueshëm i këtij qyteti me 8.825.000 banorë. Pastaj “Big Ben”, ora më e famshme në botë dhe “Tower Bridge”. Për të vazhduar me Ledi Dianën, ikonën e stilit dhe princeshën e popullit. Kush shëtit në rrugët e kryeqytetit anglez, ndjen se po thith një ajër modern, kozmopolitan dhe multietnik. E ndjen edhe më shumë këtë gjë në veri, në lagjen e “Spursave”, historikisht hebraike. Në 1800-ën ka qenë shtëpia e punëtorëve, falë hekurudhës, që lejonte lidhjet me qendrën e qytetit. Edhe sot gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë. Totenhem është një nga lagjet me numrin më të lartë të emigrantëve në Londër, është një nga ambientet, ku bashkëjetojnë më shumë kultura në Europë. Por, për fat të keq, në këtë lagje ka edhe shumë papunësi, që sjell varfëri dhe në raste të caktuara edhe kriminalitet.

Stadiumi i Liverpulit

“You’ll never walk alone” (Ti kurrë nuk do të ecësh vetëm). Ky është himni i Liverpulit, që tifozët e këndojnë me aq zë sa kanë. Është diçka që u përket vetëm atyre, është historia e një qyteti që i është dedikuar muzikës. Me 578.324 banorët e vet, qyteti shfaqet pranë Detit të Irlandës dhe ka qenë gjithmonë aktiv në pikëpamjen artistike. Jo rastësisht këtu lindën pjesëtarët e grupit të famshëm “Beatles”, të cilët u nisën nga Liverpuli me një autobus dhe plot me ëndrra. Për ku? Për në Londër, qytetin që u dha shansin e parë dhe i lejoi të rriten, derisa u bënë një nga grupet më të vlerësuara në botë.

“Fil rouge” që lidh Londrën dhe Liverpulin lëviz në mbrëmjet e “Let It Be” apo “Yesterday”. Por nga e mërkura në mbrëmje bën të njëjtën gjë edhe kur dëgjohet emri i Salah. Apo edhe emrat e Origit dhe Uijnaldum, “heronjve” që eliminuan Barcelonën. Më shumë akoma, nëse flitet për brazilianin Lukas Moura, i cili i çoi “Spursat” në finalen e Championsit me një tregolësh të paharrueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë