Politike

Nga mbërritja e përgjigjeve nga SHBA dhe Qipro tek thirrja e tyre në SPAK, mungesa e çiftit Meta-Kryemadhi ‘trazon’ rrjetin

Nga Gazeta Si – Qysh prej 22 tetorit kur përcolli një reagim të shkurtër në Facebook për lajmin se Sali Berisha ishte akuzuar zyrtarisht nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka heshtur. Zyrtarisht ai mësohet se është larguar jashtë vendit qysh prej asaj dite për periudhë një javore.

Ndërsa politika po zien dhe kryesisht Rithemelimi me palën tjetër të drejtësisë GJKKO dhe SPAK për rastin  Berisha nga ana e Partisë së Lirisë ka pllakosur një heshtje varri.

Meta nuk ka bërë koment tjetër në Facebook dhe as bashkëshortja e tij ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit ka muaj që qëndron edhe larg medias.

Në mungesë të tyre, por edhe heshtjes nga zyrtarë të tjerë të PL-së, nëpër korridoret e politikës po qarkullon një lajm se Meta është larguar në një kohë kur atij dhe bashkëshortes Kryemadhi pritet t’i vijë një fletëthirrje nga SPAK.  

 “Deri në dhjetor do të kemi të dhëna të bujshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kthyer një përgjigje për letërporositë e çështjes së lobimit, për të cilën po hetohet ish Presidenti Ilir Meta. Janë kthyer përgjigje edhe nga Qipro për këtë çështje, por që SPAK ka kërkuar përgjigje shtesë për avokatin që ndërmjetëson këtë çështje.

Është një shtetas grek, një emër shumë i njohur. Po priten letër porosi edhe sa i takon zonjës Monika Kryemadhi. Për njërën prej çështjeve, që ka të dhëna të plota, SPAK më deklaroi në verë,  që menjëherë pasi të disponohen dhe të këqyren këto shkresa është vendosur të pyetet Ilir Meta. Kjo është strategjia që po përdor SPAK. Do të pyeten personat e hetuar, pasi të disponohen të dhëna të tjera shtesë që përftohen nga dokumentet e sekuestruara”, tha në një interviste televizive gazetarja e kronikës, Anila Hoxha.

Sali Berisha i ftuar në Opinion ishte fjalëpak kur u pyet për kontaktet e fundit që ai kish pasur me Ilir Metën. Ai tha se nuk kishte biseduar me aleatin e tij Ilir Meta që prej të shtunës së kaluar, kur SPAK e akuzoi për korrupsion pasiv.

A keni folur me Ilir Metën për këtë çështje?

“S’më ka rënë puna këto ditë me fol”, ishte përgjigja e Berishës.

A e dini ku është Ilir Meta?

“Të them të vërtetën nuk mund të them se ku është se ai udhëton. Nuk kam telefonuar nga e shtuna e këtej”, u përgjigj shkurt Berisha.

Po aq shkurt u përgjigj edhe Genci Gjokutaj i cili është jo vetëm anëtar i kryesisë së PL-së por edhe avokat i Ilir Metës.

I ftuar në një tjetër emision për çështjen ‘Berisha’ sa kohe që është avokat i këtij të fundit, Gjokutaj nuk e priti mirë pyetjen për vendndodhjen e Metës.

“Unë nuk e di ku është se unë nuk shkoj mbrapa Ilirit. Ilir Meta është kryetar i Partisë së Lirisë i cili ka lirinë të lëvizë të vijë të vejë, mund të jetë në Skrapar, mund të jetë në Tiranë. Unë nuk e di. Shiko kjo pyetje nuk ka lidhje sepse po shikoj diçka, përmbajuni objektit të këtij emisioni. Unë jam ftuar për çështjen Berisha. Nëse do të filloni të më pyesni ku ndodhet ky apo ai, pastaj, mund t’i shikosh, Shqipëria ka dy satelite”, tha Gjokutaj.

Paralelisht me deklaratat politike në dyert e SPAK për disa ore ishte të enjten Dorian Duçka i cili mësohet se ka qënë i pyetur jo vetëm për dosjen ‘Mcgonigal’ por edhe për një tjetër dosje atë të CEZ DIA për të cilën ka një padi për Ilir Metën.  Ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka disa padi në SPAK kryesisht për korrupsion, pastrim parash, fshehje të të ardhurave.

Në gjithë amullinë e krijuara dhe hamendësimeve që ziejnë se pas Berishës e ka radhën Meta, gjithçka pritet të sqarohet nga vetë çifti ‘Meta’ në fillim të javës kur priten zhvillime të tjera politike duke filluar që me seancën parlamentare ku opozita ka paralajmëruar bllokim të punimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë