Me një lëvizje të papritur, Edi Rama ka vendosur të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste ditën e mërkurë, në orën 17:30 tek Xibraku, aty ku janë thirrur me dhjetra takime të socialistëve gjatë lidershpit të Ramës, e ku janë marrë thuajse të gjithë vendimet e rëndësishme.
Asambleja nuk do të paraprihet nga ndonjë mbledhje e Kryesisë së partisë, siç do të kishte qenë e udhës. Ky vendim e bën akoma edhe më të mistershme Asamblenë, e ka futur ankthin mes ministrave, të mësuar me goditjet e kryetarit të qeverisë në momente të tilla, gjatë verës.
I vetmi nga socialistët që e pret i qetë Asamblenë është Taulant Balla, i cili nuk ka mbushur as muajin si ministër i Brendshëm. Të gjithë të tjerët janë në diskutim, duke njohur edhe Edi Ramën, që nuk i kursen surprizat, sidomos pas zgjedhjeve, e për më tepër pas ngjarjeve që rrisin presionin mbi të dhe qeverinë, siç ishte rasti i fundit me kërkesën e Spak për arrestimin e Arben Ahmetajt. Me llogjikë, e vetmja çështje në diskutim mund të ishte ajo e kryetarit të grupit socialist, pas emërimit të Taulant Ballës si ministër.
Madje, në një situatë më të qetë, kryetari i ri i grupit duhet të hapte një debat brenda socialistëve, të cilët gjenden përballë faktit se nuk kanë më figura të rëndësishme rezervë, socialistë në grup në gjendje të marrin postin që deri dje e mbante Taulant Balla, ndoshta socialisti i fundit i gardës së vjetër. Ata që kanë mbetur në grupin e deputetëve, dukshëm nuk hyjnë në preferencat e Ramës për këtë pozicion. As Pandeli Majko, As Fatmir Xhafaj e as Erjon Braçe nuk ka gjasa të propozohen për këtë post. Pjesa tjetër e mbetur në Kuvend janë figura të reja që nuk bindin, personazhe gjysëm anonimë dhe pa kontribut partiak, apo zgjidhje e zgjedhje interesash lokale elektoralë.
Ky ekuacion mund të zgjidhet vetëm nëse Rama do të përmbysë qeverinë, duke kaluar ndonjërin nga peshat e rënda në krye të grupit, e duke sjellë në qeveri fytyra të reja për ti dhënë imazh tjetër qeverisjes, e freski ekzekutivit. Një vit e gjysëm përpara zgjedhjeve të përgjithshme, kjo është e vetmja mundësi për të ndryshuar qeverinë pa e hedhur në aventurë, duke i dhënë kohë ministrave të rinj të japin rezultate.Ndonëse janë prej dy vitesh në postet e ekzekutivit, shumë nga kuajt duken të konsumuar dhe ngjajnë të lodhur, dhe më shumë se të gjithë ndoshta Rama e ka kuptuar se karroca ka nevojë për kuaj të rinj më energjikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje