Futboll

Nga pasqyrat tek avionët, klauzolat më absurde në kontratat e futbollistëve

“Dakord, do të firmos për ju, por me kusht që…”. Futbollistët kanë tekat e tyre, ndonjëherë shumë të çuditshme dhe absurde, ndërsa klubet detyrohen t’ua plotësojnë. Nga bonuset për sjelljen, te leja për jetë nate, nga avionët privatë te pasqyrat “e kristalta”. Ja disa prej klauzolave më të pabesueshme të kontratave të futbollistëve:

Tiago Silva

PSG-ja i paguan mirë kampionët e saj, por është shumë e kujdesshme për çështjet disiplinore. Këtë e di shumë mirë braziliani Tiago Silva, të cilit, sipas pikave të kontratës, i lejohet vetëm të luajë, të stërvitet dhe të marrë frymë. Për të kontrata parashikon gjobë 500 mijë euro për çdo debat me trajnerin, si dhe për kritikat ndaj arbitrit dhe tifozëve. Ai nuk duhet të shprehet për besimin e tij dhe nuk duhet të vërë baste. Norma e fundit është që mbrojtësi të respektojë grumbullimin me kombëtaren dhe nëse Tiago Silva sillet mirë, ka si shpërblim 8 udhëtime vajtje-ardhje në vit në Brazil, bashkë me familjen.

Andrea Pirlo

Mjaft kurioze janë klauzolat e çdo lojtari të Nju Jork Sitit në Amerikë. Përveç shpërblimeve për golat dhe asistent, për të favorizuar lojën e skuadrës, klubi ka vendosur të shpërblejë edhe lojtarin që i jep topin atij që jep asist. Ja pse Andrea Pirlo merrte aq shumë pasime gjatë ndeshjeve. Nuk ishte vetëm çështje karizme!

Zllatan Ibrahimoviç

Pasi la PSG-në,Ibrahimoviç vendosi të kalonte te Mançester Junajtid, por ai refuzoi një kontratë prej mbreti. Në kuptimin e plotë të fjalës. Sulmuesi suedez do të merrte kurorën e kontit të Oberhausenit, nëse do të luante për ekipin e këtij vendi,atë kohë në kategorinë e katërt gjermane. Edhe stadiumi do të merrte emrin e Ibrahimoviçit dhe do të ristrukturohej nga Ikea.

Samuel Eto

Sulmuesi kamerunas, Samuel Eto, është mjaft kërkues. Kur firmosi për Anzhin në Rusi, ai pranoi të luante për të, por jo të jetonte në Makhashkala. Ishte shumë më mirë Moska, por dy qytetet janë me mijëra kilometra larg dhe në dispozicion të ish-lojtarit të Interit dhe Barcelonën u vu një avion privat për ta çuar në stërvitje.Kostoja? Më shumë se 21 milionë euro në vit.

Denis Bergkamp

Ndryshe nga Eto, që shkonte edhe në stërvitje me avion, Denis Bergkamp, një lojtar i jashtëzakonshëm,e ka fobi fluturimin. Përjashtimi i vetëm për të ishte Botërori i Amerikës. Fëmijëria kishte lënë një traumë dhe për çdo skuadër që firmoste, holandezi kishte klauzolën që të udhëtonte me mjete të shpejta, por vetëm në tokë dhe jo në ajër.

Stefan Shvarc

Në rastin e Stefan Shvarc, situata është ndryshe, pasi ky lojtar ka firmosur klauzolën e “tokës”.Ai ka firmosur për të qëndruar në tokë si planet. Mesfushori ëndërronte një fluturim në hapësirë dhe madje e kishte programuar, por drejtuesit e Sandërlandit nuk ishin dakord. Asnjë shans për “Apollo 13”, edhe me kontratë.

Luis Suarez

Suarez nuk është aspak miqësor në fushë. Përkundrazi, është “i frikshëm” për kundërshtarët, në çdo aspekt. Pas kafshimit ndaj Kielinit (i treti në karrierë, natyrisht jo të gjithë ndaj mbrojtësit bardhezi), Barcelona i vuri në kontratë klauzolën-maskë. Nëse do ta bënte sërish, kontrata ndërpritej, kështu që duke u prekur te financat, Suarezi është zbutur.

Mario Baloteli

Edhe Mario Baloteli e ka tepruar shpesh me sjelljen e tij brenda dhe jashtë fushe. Për këtë arsye, Liverpuli, kur i propozoi kontratën, i vuri edhe klauzolën “bonus/malus”.Një nga milionat e shumtë të kontratës do të ishte i vlefshëm, nëse sulmuesi nuk do të ndëshkohej tri herë me karton të kuq gjatë sezonit. E ndaluar pështyma ndaj kundërshtarit, sharjet dhe gjestet josportive.

Daniel Ager

Danezi Ager është një biznesmen, përveçse një lojtar futbolli. Në momentin që kaloi te Brondbi, ish-mbrojtësi i Liverpulit i bëri të qartë klubit se në çdo ndeshje në shtëpi, në reklamat në stadium do të vendosej emri i kompanisë së tij, që merret me ujin. Natyrisht, reklama është në të mirë të shoqërisë.

Klarens Sedorf

Klarens Sedorf ka arritur të firmosë kontrata të majme edhe pasi la futbollin e luajtur. Në 2014-ën ai u ftua të komentonte ndeshjet e Botërorit të Brazilit dhe nuk e la rastin t’i ikte nga duart, por kërkoi kushte nga më komodet. Përveç pagesës që do të përfitonte për praninë e tij, ish-mesfushori i Milanit kërkoi edhe një suitë në Kopakabana.

Kristiano Ronaldo

Kristiano Ronaldo është gjithmonë i kujdesshëm për “look”-un e tij, aq më tepër në kompeticione madhore. Në Botërorin e 2014-ës, ylli portugez i kërkoi Federatës që në dhomat e zhveshjes të kishte pasqyra të posaçme, që të tregonin qartë edhe detajin më të vogël, në mënyrë që ai të ishte në rregull, kur të dilte pas dushit.

Ronaldinjo

Ronaldinjo u kthye në fund të karrierës në Brazil. Pasi u kontaktua nga Flamengo, ai pranoi të luante për ish-klubin e tij, por me disa kushte. Për shembull, stërvitje jo shumë të fortë dhe mundësinë për ta kaluar të paktën dy herë në javë natën jashtë, duke qenë tërësisht i lirë. Rezultati? Pas pak muajsh peshonte rreth 100 kilogramë…

Hugo Loris

Nga klauzolat më të veçanta në kontratë është ajo e portierit Hugo Loris. Francezi i Totenhemit ka një kontratë, që e nxjerr gjithmonë fitues, pavarësisht rezultatit të ndeshjes. Në momentin e firmosjes së kontratës, ai ka saktësuar shpërblimet me klubin dhe, nëse luan titullar, arkëton nga Totenhemi 7 mijë stërlina në rast fitore dhe 3500 stërlina në rast barazimi apo humbje.

Serxho Aguero

Sa herë u ndodh atyre që luajnë futboll në kompjuter të gëzojnë për golin e një sulmuesi që nuk është i skuadrës së tij? Eh, një klauzolë e tillë ekziston vërtet: është rasti i Agueros. Ai shënon dhe tek Atletiko e Madridit festojnë. Sipas akordit mes dy klubeve, kampionët e Anglisë duhet të kalojnë në arkat e Atletikos 250 mijëeuro për 5 gola të sulmuesit. Kështu, një sezon me 20 gola me fanellën e Mançester Sitit korrespondon me një milion euro për spanjollët.

Xhanluixhi Donaruma

Rasti i fundit është ai i portierit Donaruma, i cili, në momentin e  rinovimit të kontratës, kërkoi një pagë prej një milion eurosh në sezon për vëllanë e tij Antonio. Ky i fundit fiton një milioneuro për të qenë rezerva e rezervës së portës së Milanit. Një klauzolë që krijoi polemika te tifozët, por Antonio ishte vendimtar në një derbi  në Kupën e Italisë.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë