Në ditën e luftës kundër korrupsionit, deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, ka prezantuar dhe depozituar në kuvend 5 ndryshime ligjore të pjesës së “Paketës Anti-korrupsion”.
“Sot, arsyeja kryesore pse të rinjtë dhe shqiptarët largohen është korrupsioni, është mungesa e mundësive, është sistemi që është ngritur i cili vlerëson gjithmonë më të fortin e më të pasurin dhe penalizon gjithmonë atë që është më i dobët.
Kjo ndodh që nga aplikimi për një vend pune, e deri tek ‘konkurrenca për një tender’ apo një garë publike.
Sot, të gjithë mendojnë që pa pasur një mik, pa njohur një politikan ose pa pasur mbështetje nuk ja dilet” , tha Tabaku nga kryesia e Kuvendit.
Por cilat janë ndryshimet që propozon ajo?
1. “Pasaporta e Prokurimit Publik” ku do të paraqitet çdo e dhënë e kompanisë së bashku me dokumentacionin e një procedure publike, duke filluar që nga numri i referencës dhe çdo dokument zyrtar që kjo kompani aplikon tek zyrat e shtetit, por njëkohësisht kjo zotëron.
2. Krijimi i sistemit të kontratave publike që do të ketë të gjitha koncesionet, tenderat, PPP-të, përfshirë dhe lejet dhe licencat që ka çdo kompani nga qeveria shqiptare, por njëkohësisht aksesi në financa dhe të dhëna të tjera publike që sot është e pamundur që të merren.
3. Shmangien e kompanive offshore nga çdo lloj gare, duke filluar nga investitorët strategjik, duke vazhduar me koncesionet/ partneritetin publik privat dhe gara të tjera publike.
4. Ndryshimi i tretë lidhet me forcimin e kritereve të garancisë monetare. Sikundër është vënë re në shumë kontrata publike nga inceneratorët deri tek kontratat e fundit që janë diskutuar si ajo e Portit të Durrësit, kompanitë jo vetëm që vënë kolateral pronën e fituar përmes koncesionit për të marrë një kredi, por nga ana tjetër nuk kanë asnjë të dhënë financiare.
5. Rritja e përgjegjësisë personale. Çdokush që mban një post publik duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij personale.
6. Forcimi i kontrollit të Raporteve Financiare. Çdo kompanie që kërkon të fitojë një Koncesion Publik duhet të publikojë dhe të vërtetojë se zotëron së paku 50% të të ardhurave të projektit dhe se burimi i atyre të ardhurave të jetë i ligjshëm.
7. Rritja e kërkesës llogarive për sa i përket pastrimit të parave; Propozohet ndryshimi i ligjit për kontrollin e territorit duke kërkuar dhe depozituar një raport të detajuar të të ardhurave dhe justifikimin e tyre sa herë që një subjekt pajiset me një leje ndërtimi ose me një certifikatë përdorimi.
8. Ligji i Komisioneve Hetimore është i vitit 2003 duhet amenduar që nga momenti i heqjes e së drejtës së Kuvendit për ta shtruar në debat parlamentar duke i dhënë formë të prerë ngritjes së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje