Futboll

Nga Puka në Stamboll, një model frymëzimi si Eduart Rroca

Nga Fatjon Rupi – Goli i së shtunës ishte i 5-ti me fanellën e Instanbulsporit në Turqi. Një numër impresionues për një mesfushor, ashtu si dhe 5 asistet e tij. Stambolli është stacioni i radhës në rrugëtimin vetëm ngjitje të Eduart Rrocës. Para 6 vitesh, shumë i ri në moshë, duhej të përballonte shkelmat dhe baltën e futbollit inferior në Shqipëri, teksa luante me Tërbunin e Pukës, sot e sheh vetën në Stamboll, pasi ka shkëlqyer më parë me Luftëtarin dhe Kukësin.

Rroca feston një gol me fanellën e Istanbulsporit. Gazeta Si, 27 dhjetor 2020

Në 6 vjet trajektorja e karrierës së Eduart Rrocës ka njohur vetëm rritje. Një model frymëzimi për çdo të ri që ëndërron të bëhet futbollist profesionist. Mesfushori 27-vjeçar ka besuar gjithmonë të vetja, ka punuar fort dhe ka guxuar, duke mos u kënaqur thejsht me një kontratë në Superiore. “Po, është e vërtetë që e kam nisur nga ketagoritë inferiore dhe sot jam këtu ku jam, por akoma nuk e kam arritur majën, shpresoj të arrij akoma më lart dhe deri në fund të karrierës të kem vetëm rritje”, – thotë Rroca për Gazeta Si.

Me punë, përulësi dhe maturi ai ka dalë të ngjitë shkallët një e nga një dhe të luajë tashmë në një kampionat të huaj. “Kam mendimin se vetëm puna dhe besimi të ndihmojnë. Jam munduar të mos dëgjoj çfarë thonë të tjerët. Njerëzit flasin shumë dhe pa të njohur të gjykojnë, është më mirë të mos i dëgjosh dhe të shohësh vetëm punën tënde. Nëse punon, një ditë do të shpërblehesh dhe kështu ka qenë edhe situata ime”, – shton ish-lojtari i Luftëtarit dhe Kukësit në Superiore.

Rroca, kur luante me Tërbunin që ngjitej në Superiore. Gazeta Si, 27 dhjetor 2020

“Duhet ta pranoj, – thekson pastaj mesfushori nga Librazhdi, – futbolli është edhe çështje fati. Është një sport kolektiv, asgjë nuk mund ta arrish i vetëm. Duhet të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur, në ekipin e duhur. Kam pasur disa momente kyçe në karrierë, që nga ngjitja me Tërbunin në Superiore. Është një moment i rëndësishëm, ishte hera e parë për mua dhe ekipin që ngjiteshim në Superiore.

Edhe pse nuk luajta vitin tjetër në elitë, performanca atje më ndihmoi të shkoja te Luftëtari dhe ta ngjisja edhe këtë ekip në Superiore. Qëndrimi në Gjirokastër ato 3 vjet më ka ndihmuar goxha, paraqitja në Superiore ishte goxha e mirë. Nuk mund të veçoj ndonjë episod, di të them që kam pasur përkrahjen e shokëve kudo. Kam qenë ndër më të rinjtë në ekip, më kanë mbajtur afër”.

Rroca, kur luante me Kukësin ndaj Volfsburgut në Ligën e Europës. Gazeta Si, 27 dhjetor 2020

Familja dhe karakteri
Përveç elemntëve që përmend më sipër, Rroca thotë me bindje se në rritjen e tij profesioniale kanë ndikuar shumë edhe mbështetja e familjes dhe karakteri si person: “Dua të veçoj familjen si pikën më të fortë në atë që kam arritur, më ka mbështetur, ka qenë pranë meje gjithmonë dhe e falënderoj. Kuptohet që edhe ekipet ku jam aktivizuar kanë luajtur rol të rëndësishëm në karrierën time, kanë qenë eksperienca të mira, ashtu si tani me Istambulsporin në Turqi.

Edhe karakteri ka të bëjë shumë. Jam një tip që nuk heq dorë lehtë, dua të fitoj, dua të bëj atë që dua vetë, jo atë që duan të tjerët. Duhet të jesh një karakter i fortë në futboll, sepse jo të gjithë të ndihmojnë, jo të gjithë janë të drejtë më ty. Nuk kam pasur asnjë pengesë, në fakt, vetëm fillimi ka qenë i vështirë, kam luftuar dyfish ngaqë vija nga kategoritë e ulëta”, – shprehet më tej mesfushori përt Gazeta Si.

Gjatë një ndeshjeje në Turqi. Gazeta Si, 27 dhjetor 2020

Turqia dhe Kombëtarja
Edhe pse luan në Ligën e Parë në Turqi, ku shok ekipi ka edhe Kristal Abazajn, Rroca e sheh si një mundësi shumë të mirë aktivizimin me Instambulsporin për të luajtur në nivelin elitar të futbollit turk, pse jo dhe për ndonjë transferim tjetër: “Mund të them se në Turqi ndryshojnë shumë gjëra: ekipet, organizimi, terrenet, por për fat jam përshtatur shpejt, kam arritur të bëj mirë dhe synoj të vazhdoj kështu.

Ka ekipe që luftojnë fort, të organizuar mirë dhe të paguar mirë, janë gati të përballojnë edhe Superligën turke, që është një nivel i lartë. Ne kemi objektiv 6-shen e parë dhe shpresojmë ta arrijmë në fund të vitit. Në momentin e parë, politikat e klubit më bindën, është një klub që nuk i ndërron shpesh lojtarët, ka mundësi të bëjë transferime lojtarësh. Kam ardhur të bëj më të mirën këtu, pse jo edhe një transferim diku tjetër, por së pari shpresoj të kapim Superligën”.

Rroca në një ndeshje kampionati në Turqi. Gazeta Si, 27 dhjetor 2020

Së fundi janë shtuar zërat për një grumbullim të mundshëm të Rrocës me kuqezinjtë. “Kombëtarja? Po, flitet, por janë fjalë vetëm në gazeta. Nuk kam pasur kontakte nga federata. Shpresoj të vazhdoj me këto ritme dhe besoj se ftesa do të më vijë. Nëse ata më konsiderojnë të vlefshëm, se mund ta ndihmoj ekipin, pse jo, jam gati”, – shprehet mesfushori.

Në fund edhe një këshillë për të gjithë ata të rinj që duan të behen dikush në futboll: “Këshilla është që të stërvitet fort, të mos heqin dorë, sepse nëse kërkon diçka me ngulm, Zoti ta shpërblen dhe të çon atje ku dëshiron. Uroj të kemi sa më shumë lojtarë shqiptarë që të luajnë në nivele të larta në kampionatet e Europës”, – përfundon Eduart Rroca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë