Politike

Nga testet tek rritja e buxhetit, për “hapjen” PD propozon 5 pika

Grupi i ekspertëve të shëndetësisë për Covid-19, i ngritur pranë PD-së, vëren se gjatë gjithë proçesit të pandëmisë ka një mungesë strategjie dhe transparence nga ana e qeverisë.

“…Vazhdon një konfuzion i plotë per testimet imunologjike, duke u tentuar që dhe kjo të realizohet vetëm në QSUT, kur kapacitetet për të tilla ekzaminime i kanë shumë laboratorë në vend. Po ashtu, nuk ka asnjë transparencë se cila metodë laboratorike po përdoret: ELISA, Chemiluminisence apo Imunokromatografia. Mjeku i familjes vazhdon të jetë i pambrojtur e jashtë funksioneve të tij, gjë që ul kapacitetet identifikuese e mjekuese të sistemit shëndetësor. Kurba e shifrave të infektimit tek ne është unike sepse ajo është e bazuar mbi testime të pamjaftueshme, që janë më të ulëtat në rajon…”, thuhet në deklaratën e ekspertëve. Duke iu referuar vendeve të tjera si Gjermania apo Italia, ekspertët  e PD-së nënvizojnë  se  “hapja” duhet të fillojë të implementohet, bazuar në një strategji, ku të përfshihen të gjitha kapacitetet e vendit. Në këtë drejtim, ekspertët sugjerojnë që qeveria të marrë parasysh edhe propozimet e PD-së;

“1. Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet laboratorike, me rimbursim për qytetarët. Ndërkaq duhet përgatitur dhe për aplikimin e ekzaminimeve virusologjike mobile e të shpejta.

2. Pajisja masive gratis me maska të qytetareve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publik duke i paraprirë kështu “hapjes”. Aktivizimi i plotë i mjekut të familjes, duke siguruar më parë mbrojtjen, pajisjen profesionale e logjistike të tij me instruktim të qartë.

3. Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm t të ri gjatë procesit të “hapjes”, ashtu si po veprohet në vendet e tjera, duke mos ngelur sërish të papërgatitur për të nesërmen

4. Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve, që nga ana e tyre duhet t’i shperndajnë më poshtë, për të shfrytëzuar kështu të gjitha kapacitetet dhe arritur të shkohet në çdo banesë e kontaktuar çdo individ.

5. Rritje e menjëhershme e buxhetit nga Qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara.…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë