Politike

SHBA-BE: Palët të përmbahen, autorët të dënohen

Ambasada Amerikane Zyra e BE në Tiranë u kërkojnë të gjitha partive politike që të distancohen nga dhuna dhe të dënojnë ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Elbasan, ndërsa prej organeve shtetërore kërkohet zbardhja e plotë të kësaj ngjarjeje.

“Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga Ambasada.

“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”, vijon reagimi.

Deklarata e Ambasadës Amerikane mbërriti pak orë pas ngjarjes së Elbasanit, ku mbeti i vrarë shtetasi Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes të cilëve një efektive e forcave “Shqiponja”.

Edhe zyra e BE në Tiranë ka reaguar për këtë ngjarje, duke kërkuar hetim të shpejtë, vendosjen e përgjegjësve të dhunës përballë drejtësisë dhe bëhet thirrje për vetëpërmbajtje.

“Akti i dhunshëm që ndodhi në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhet të bëhet qartësi në lidhje me përgjegjësitë dhe të ndiqet në tërësi. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës inflamatore dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë