Presidenti Ilir Meta ka kërkuar zbardhjen sa më shpejt të vrasjeve që kanë tronditur vendin dy ditët e fundit. Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit shkruan se revanshi i krimit në qytetet kryesore të vendit kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese.
“Revanshi i krimit në qytetet kryesore të vendit kërkon masa të menjëhershme reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike. Autorët e këtyre krimeve duhet të ndalohen sa më parë dhe aktet kriminale të konsumuara në zemër të qyteteve tona, që po tronditin rëndë opinionin, duhen të zbardhen menjëherë nga drejtësia dhe duhet të marrin dënimin më të rreptë ligjor”, – është komenti i Metës.
Në dy ditët e fundit, në vend janë regjistruar tre vrasje me armë zjarri. Në Vlorë, dy persona ekzekutuan me breshëri plumbash 38-vjeçarin Bledar Birçaj.
Ndërsa në orët e mbrëmjes së të hënës, në rrugën “5 Maji” në Tiranë, Marius Dema vrau shokun e tij Mehmet Qema, në një ngjarje që dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht.
Mbrëmjen e të martës, krimi u zhvendos në Elbasan, ku u ekzekutua në makinë 41-vjeçari Everest Çaka në sy të bashkëshortes së tij, e cila mbeti e plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje