Politike

Ngritja e re e KQZ “rikthen” opozitën në Kuvend

Partia Demokratike “rikthehet” në Kuvend përmes përfaqësimit të saj në komisionin e posaçëm parlamentar të KQZ-në e re. Ajo ishte larguar nga Kuvendi me vendim politik qysh prej marsit të vitit 2019.

Partia Demokratike njoftoi publikisht të martën kryeparlamentarin Gramoz Ruçi se në emër të opozitës ajo ka autorizuar Oerd Bylykbashin (anëtar i Këshillit Politik) si përfaqësues me cilësinë e të dërguarit të posaçëm pranë Komisionit Parlamentar, që do të marrë pjesë në procedurën e shqyrtimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për organet drejtuese të KQZ-së.

Përfaqësues i PS-së do të jetë bashkëkryetari i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri. Pra si Bylykbashi ashtu edhe Gjiknuri do të angazhohen në ngritjen e strukturave të reja të KQZ-së ndërsa nuk dihet nëse të dy ata do të impenjohen edhe për procesin paralel, atë të ndryshimeve kushtetuese, për procedurën e së cilës, do të duhet një vendim i ri nga Kuvendi. Sepse mandati i komisionit për reformën zgjedhore e për pasojë edhe Këshillit Poplitik ka përfunduar në fund të muajit qershor.   

Të hënën, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u dërgoi  letër përfaqësuesve politike (brenda dhe jashtë Kuvendit) për ngritjen e Komisionit për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ.

Afati i fundit për propozim për anëtar është nesër.

“ …Kuvendi ka detyrimin për të ngritur komision të posaҫëm parlamentar, me përfaqësim proporcional nga çdo grup parlamentar, për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave të paraqitura për vendin e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it”, thuhej në letrën e Ruçit. Afati për ngritjen e strukturave të reja të KQZ-së së re është deri me 18 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë