Politike

Nikolla: S’jemi vonë për Ahmetajn, Bardhi: Po i jepni edhe 4 ditë kohë të prishë provat

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaroi se nuk ka asnjë vonesë nga ana e Kuvendit apo Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Arben Ahmetaj.

Sipas Nikollës, kërkesa e SPAK ndonëse mban datën 7 korrik mbërriti në Kuvend në datë 10, i cili më pas nisi të gjitha procedurat sipas ligjit.

“Ju bëj me dije se kërkesa e SPAK, është depozituar më 10 korrik edhe pse mban datën 7. Këshilli i Mandateve bëri menjëherë dy mbledhje. Mbrojtja kërkoi kohë, i dhamë jo më shumë se një ditë kohë.

Megjithëse rregullorja tha duhen dy javë për raportet, ne po veprojmë shumë shpejt. E njëjta procedurë është ndjekur dhe për Tahirin. Nuk ka asnjë deformim dhe vonesë që doni të hidhni mbi Këshillin e Mandateve dhe Kuvendin”, tha Nikolla.

Më herët, Gazment Bardhi kërkoi të hidhet në votim kërkesa e PD për të futur në rend të ditës raportin e opozitës.

“Rrëzojeni, por të shënohet në procesverbal se deputetët e mazhorancës i dhanë Arben Ahmetaj 4 ditë kohë për të intimiduar prokurorët dhe të prishë provat. Po bëheni pengesë e drejtësisë”, tha Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë