Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste zgjati rreth 60 minuta dhe në përfundim të saj ka dalë një emër për Presidentin e ri.
Kandidati i socialistëve është Bajram Begaj, aktualisht Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Emrin e njoftoi vetë kryesocialisti Rama, që tha se Kryesia kishte përjashtuar të gjitha kandidaturat me aktivitet politik. Sipas Ramës, Begaj ishte në listën e kandidaturave të propozuara nga grupi parlamentar përmes procesit të mbledhjes së emrave me zarfa në muajin prill.
“Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes e kandidaturës që do të çojmë në Kuvend për të votuar presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Sot procesi është përmbyllur duke vënë në dispozicion të gjitha kandidaturat e propozuara nga grupi parlamentar me zarfa”, tha ai.
“Janë ndarë kandidaturat në 3 grupe, është përjashtuar menjëherë dhe nuk është futur në tavolinë blloku i propozuar nga brenda grupi parlamentar. Është hequr dhe blloku i kandidaturave që janë të gjithë gra dhe burra shumë të nderuar, por që i përkasin kësaj familje politike dhe kanë pasur aktivitet politik në PS se e kemi thënë dhe më parë, sot e kemi ridiskutuar dhe kemi dakordësuar që PS i takon që në këtë moment të shohë dhe të shkojë përtej vetes sepse duhet t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në PS, por që rrezaton atë normalitet, atë qytetari dhe atë mirësi për të cilën kanë nevojë sot qytetarë dhe jemi përqendruar në bllokun e tretë, i cili ka pasur 26 kandidatura për të arritur në konkluzionin që do të mbështesë Bajram Begën, shefi aktual i Forcave të Armatosura për të qenë president i Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai.
Gjiknuri përjashtoi përfshirjen e opozitës në këtë raund, të paktën në përzgjedhjen e kandidatit.
“PS i ezauroi të gjitha mundësitë e saj për dialog. Ju keni qenë dëshmitarë të propozimeve tona duke diskutuar me të gjitha Grupet parlamentare. Ia lamë atyre në dorë se si do ta formatonin grupin e tyre negociator, se si do të merrnin mendimin brenda opozitës për të dalë me një kandidat apo me disa kandidatë në tavolinë e negocimit. Fatkeqësisht preferuan më shumë konfrontimin para mediave që do ta quaja një lloj diplomacie megafone se sa negociata konkrete për emra konkretë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje