Bota

Mbyllet raundi i tretë i bisedimeve për paqen Rusi-Ukrainë: Zhvillime të vogla pozitive

Gazeta Si – Raundi i tretë i bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës ka përfunduar në Bjellorusi, sipas mediave shtetërore ruse.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, raporton se një negociator ukrainas tha se “bisedimet nuk e përmirësuan ndjeshëm situatën”.

Megjithatë, ai shtoi se një përparim i vogël ishte bërë në marrëveshjen logjistike për evakuimin e civilëve, pasi gjashtë korridore humanitare u krijuan këtë mëngjes. Podolyak u shpreh se të dyja palët do të vazhdojnë bisedimet për një armëpushim.

Anëtarët e delegacionit ukrainas mbërritën në Bjellorusi rreth orës 15:30 për një raund të tretë negociatash me Rusinë, në mes pushtimit rus të Ukrainës.

Delegacioni rus mbërriti në qytetin bjellorus Brest për bisedime me negociatorët ukrainas për përfundimin e armiqësisë, njoftoi sot agjencia ruse e lajmeve RIA. Gazetarët nuk lejohen në zonën ku do të zhvillohen bisedimet dhe zona ruhet nga ushtria bjelloruse.

Javën e kaluar, të dy palët ranë dakord, gjatë bisedimeve, të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve nga zonat e luftës.

Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur deri më tani, me Moskën dhe Kievin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit. Këtë të hënë, Kievi refuzoi korridoret humanitare të propozuara nga Moska për në Rusi dhe Bjellorusi.

Nga ana tjetër, Rusia është e gatshme të ndalojë operacionet e luftës në Ukrainë “në moment”, nëse Kievi pranon kushtet e Moskës.

Kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë telefonike për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Rusia, shpjegon Peskov, i kërkon Ukrainës të ndalojë veprimet ushtarake, të përfshijë neutralitetin në Kushtetutën e saj, të njohë Krimenë si një territor rus dhe të njohë republikat separatiste të Donjckut dhe Luhanskut, si shtete të pavarura.

Rusia – specifikoi ai – “nuk po anekson Donjetckun dhe Luhanskun, por vetëm kërkon që dy republikat separatiste të njihen si shtete të pavarura nga Ukraina”. Zëdhënësi i Kremlinit, këmbëngul se Rusia nuk pretendon territor tjetër nga Ukraina.

Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në mars 2014 dhe disa javë më vonë nisi mbështetjen e saj ndaj separatistëve pro-rusë në rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë