Rend dhe Ligj

Nis seanca për ish-ministrin Tahiri në Gjykatën e Posaçme të Apelit

Nis seanca gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Ish-ministri Tahiri është i pranishëm në këtë seancë, pasi është parë të mbërrijë në ambientet e Gjykatës i shoqëruar nga avokati i tij, Maksim Haxhia.

Ndërkohë është parë edhe shoferi i tij, duke çuar tabelën e famshme, me të cilën u mbrojt përpara se të dënohej në Shkallën e Parë.  

Në ambientet e jashtme të Gjykatës shihet edhe një fanse e ish-ministrit që ka veshur një bluzë që me portretin e Tahirit, si dhe ka vënë maskë me mbishkrimin “Saimir Tahiri”. Kjo nuk është hera e parë që fanse të ish-ministrit shkojnë para Gjykatës në mbështetje të tij.

Fanse e ish-ministrit Tahiri

Më 28 maj, gjyqi u shty pasi ish-ministri nuk ishte njoftuar personalisht për procesin, por vetëm avokati i tij, Maksim Haxhia. Ndërkohë që gjyqi për Tahirin është shtyrë edhe më herët për shkak të situatës me COVID-19.

Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit që nga java tjetër do të fillojë me gjykimin e dosjes.

Saimir Tahiri ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë