Superiorja luan aktin final të saj, 5 javët e fundit bashkë me të sotmen. Parashikimet janë shumë të vështira në këtë moment, sepse ekuilibri mund të prishet nga kombinimi i rezultateve të katër ndeshjeve. I vetmi ekip i qetë këtë javë është Kukësi, që ka shtuar 3 pikët aforfe në tabelë dhe pret gabimin e Partizanit në Vlorë, si për t’i dhënë kuptim garës së titullit deri në fund të kampionatit.
Gara është në atë fazë, ku tolerimet apo kompromiset dalin në skenë, siç ka ndodhur gjithmonë. Për ta amortizuar sa më shumë këtë fenomen, FSHF-ja vendosi që të gjitha ndeshjet të startojnë në orën 15:00. Është diçka normale, por që nuk është se e zgjidh problemin, sepse nga sot nis futbolli me “kufje”. Shumica e skuadrave nuk e kanë arritur ende objektivin dhe përveç ndeshjes së tyre, janë të interesuara edhe për atë që po bën rivali po rivalët në fusha të tjera. Për shembull, Laçi, përveçse duhet të mundë Kastriotin, është mjaft i interesuar për ndalesën e Flamurtarit ndaj Partizanit, të Skënderbeut në fushën e Tiranës dhe të Teutës, që pret Luftëtarin në shtëpi. Drejtuesit e Tiranës, me sy do të ndjekin ndeshjen me Skënderbeun në “Selman Stërmasi”, ndërsa veshët do t’i kenë në Laç, duke shpresuar që Kastrioti, rivali në luftën për mbijetesë, të mos marrë pikë. Ndeshja në kryeqytet luhet pa tifozë dhe Tirana ka shanse më të mëdha për fitore, pasi korçarët vijnë me shumë mungesa titullarësh.

Kombinimet e rezultateve përcaktojnë gjithçka, por është e qartë se më e lehtë është për ato skuadra që e kanë vetë në dorë fatin e tyre. Flamurtari i vendit të tretë mjafton të bëjë detyrën në fushën e tij, ku pret një Partizan që javët e fundit e ka ulur ndjeshëm ritmin, ngaqë titulli duket i sigurt. Një fitore e vlonjatëve do t’i konsolidonte pozitat e tyre dhe do ta afronte më shumë Flamurtarin me Europën, gjithmonë nëse licencimi nuk është problem për klubin bregdetar. Në këtë ndeshje Partizani do të drejtohet nga trajneri i dytë Mehmeti, pasi Gega është dënuar nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje, ndërsa mesfushorit Bruno Telushi me katër ndeshje.
E veçanta e kësaj jave është se në Laç do të gjykojnë arbitra nga Luksemburgu. FSHF-ja ka nisur një bashkëpunim me federatat e Luksemburgut dhe Maltës për shkëmbim arbitrash dhe për treshen nga Luksemburgu, që vjen këtë javë në Shqipëri, është parë e udhës të gjykojë ndeshjen Laçi-Kastrioti. Arbitrat e huaj zakonisht, edhe pse ata mund të mos jenë në nivelin e arbitrave shqiptarë, largojnë paragjykimet për favorizimin e njërit apo tjetrit ekip. Me siguri nuk do të mungojë tensioni në këto javë të fundit, duke qenë se “laku” është shtrënguar dhe gabimet janë të pafalshme. Ndeshja Laçi-Kastrioti pritet të jetë ndeshja me më shumë tension.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje