Pas gati 20 vjetëve, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nisin të shtunën zyrtarisht tërheqjen e trupave të tyre nga Afganistani, duke e lënë këtë shtet me një të ardhme të paqartë, ndërkohë që rriten sulmet nga kryengritësit talibanë.
Rreth 10,000 ushtarë të NATO-s, përfshirë 2,500 ushtarë amerikanë dhe rreth 1,100 nga Gjermania do të largohen nga ky shtet deri më 11 shtator.
Dita e 1 majit shënon nisjen zyrtare, mirëpo pajisjet ushtarake kanë nisur të largohen nga Afganistani që disa javë më parë.
Disa shtete të NATO-s kanë angazhuar forca shtesë në mënyrë që të garantojnë procesin e tërheqjes.
Ekzistojnë shqetësime se talibanët mund të sulmojnë forcat gjatë procesit të tërheqjes.
Një zyrtar i NATO-s ka thënë se çdo sulm do të ketë përgjigje të fuqishme.
Tërheqja e forcave ndërkombëtare do të jetë test për forcat afgane të sigurisë, të cilat do të duhet të mbrojnë territorin e tyre që kontrollon qeveria.
Gjeneralët amerikanë kanë shprehur së fundmi shqetësime se tërheqja mund të rezultojë me rrëzim të qeverisë afgane, apo me luftë të re civile.
Megjithatë, presidenti amerikan Joe Biden është i vendosur të zbatojë planin e tërheqjes të trupave deri më 11 shtator, kur shënohet 20-vjetori i sulmeve të 11 shtatorit në tokën amerikane.
Aleatët e Uashingtonit në NATO po ashtu kanë thënë se do të ndjekin rrugën e SHBA-së për largim nga ky shtet. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje