Politike

Nishani: Basha të sqarojë raportin me Berishën, qëndrimi i tij hipokrit. Harxhi: Bashën e presin surpriza

Më shumë sesa fillimi i takimeve me bazën, kandidatët për kryetar partie e kanë fokusuar fushatën përmes konferencash për shtyp.

Të hënën mbasdite ishte Agron Shehaj që foli nga Hotel “Rogner”, të martën nga një tjetër hotel doli grupimi “Për PD-në”  që kanë shpallur kandidat Edith Harxhin ndërsa Ibsen Elezi është përjashtuar nga kryesia si kandidaturë.

Bujar Nishani deklaroi në konferencën për shtyp se kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha mbajti qëndrim hipokrit në raport me Berishën lidhur me vendimin e DASH për shpalljen “non grata”.

Duke sjellë eksperiencën personale me Berishën, Nishani tha se edhe Basha duhet të përcaktojë qartë raportin me ish-liderin demokrat.    

“Unë kam një histori personale bashkëpunimi me z Berisha. Unë president, z.Berisha kryeministër. Mund të deklaroj kudo dhe para kudo kam konstatuar modelin e z. Berisha që është një model ndershmërie dhe institucionalizmi. Unë besoj se kjo çështje do të zgjidhet, por asnjë çështje tjetër nuk do të cenoje marrëdhëniet e shqiptare me Amerikën. Qendrimi i z Basha ishte hipokrit. Ai u mbështet tek kërkesa për transparencë për këtë çështje çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë transparencë, por z.Basha dhe unë e kemi të qartë. Transparencën duhet ta bëj Basha, pasi në opinionin publik ka diskutime se është i ndikuar nga z. Berisha në vendimet më të rëndësishme që ka marrë z. Basha në PD. Dhe Basha nuk e ka përgënjeshtruar kurrë këtë çështje. Basha duhet të flasë publikisht a është shantazhuar nga Berisha për të marrë këto vendime apo janë vendime të tij kjo është transparenca që duhet të bëj Basha”, tha Nishani.

E pyetur për Berishën, kandidatja për kryetare Edit Harxhi tha se, “unë e kam shprehur qëndrimin tim dhe nuk dua ta përsëris. Kur kandidati bëhet kryetar qëndrimi i tij është i partisë. Marrëdhënia ime personale me zotin Berisha mbetet ajo që ka qenë gjithmonë”.

Ajo paralajmëroi Bashën se një ditë pas votimit, në 14 qershor, ai do të përballet me një surprizë të madhe. Pavarësisht nëse fiton apo jo, Harxhi tha se “Grupi për PD” do të vazhdojë të jetë unik për të kërkuar reformimin e Partisë Demokratike.

“Nuk e mendoj në asnjë moment të tërhiqem nga gara pavarësisht pengesave. Partia është marrë peng dhe administrata punon vetëm për një person Lulzim Bashën. Pavarësisht gjithçkaje vazhdojmë të këmbëngulim për reformimin e PD. Të gjitha çështjet diskutohen në grup dhe jo në mënyrë personale siç i merr Basha. Unë nuk i marr votën demokratëve por ata do më japin votën mua sepse do besojnë tek unë, te programi im, te ringritja e PD mbi idealet e viteve 90 dhe ky program do të jetë një fillim i ri për PD dhe përfundim i tranzicionit shqiptar pas 4 humbje seriale të PD dhe një lider që pretendonte të ishte perëndimor, por nuk bëri asnjë akt të tillë. Çfarëdo që të ndodh ky grup do të jetë unik dhe do të vazhdojë të punojë në çdo kohë. Më 14 qershor jam e sigurt që Lulzim Basha do të vihet përballë një surprizë të madhe”, tha Harxhi.

“Për sa i përket debatit publik unë do doja ta bëja me Lulzim Bashën, por ai e ka refuzuar, i bëj thirrje e sfidoj që të gjejë vendin dhe arenën se ku do ta bëjë këtë debat publik, do ishte në të mirë të PD që Basha të mbajë fjalën për të bërë transparencë para publikut me programin më të mirë dhe të lejojë shqiptarët të votojnë kush është programi më i mirë dhe programi i duhur”, shtoi ajo

Ndërsa Arben Imami ka kërkuar vënien në dispozicion të kandidatëve të  listës së anëtarësisë dhe ka kundërshtuar përjashtimin nga gara të Ibsen Elezit.

“Këto bëjnë veprime, që janë veprime, pa kuptim të turpshme. Nëse kryetari i Partisë vendosë të heqë znj. Elezi, mendoni se në një vend kryeministri zgjedh kandidatët çfarë zgjedhje do të ishin këto. Partitë janë aset publik. Nëse kjo nuk funksionon brenda një partie, si do të funksionojë në gjithë vendin, ky mund t’i bëjë zgjedhjet dhe me keq se Rama. Nuk ka lista sekrete, vetëm grupet paramilitare të përdoruara nga PD sillen në këtë natyrë, që bën ato që bënë. Partia është e hapur dhe e gjithë partia duhet të ketë listën e anëtarëve. Të japin listën e anëtarëve. Gara është e pabarabartë” tha Imami.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë