Politike

Nishani: Largimi i Bashës nga partia nuk sjell përçarje, duhet të sjellim PD në pushtet

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerëson se demokratët duhet të kenë vetëm një objektiv; “Të sjellin Partinë Demokratike në pushtet”

“Ky është edhe interesi publik, më i madhi për Shqipërinë. Por ky nuk është një proçes i lehtë e as i thjeshtë.  Më së pari kërkon rritjen, forcimin, krijimin e besimit të vërtetë prej PD tek shqiptarët.  Kjo do mund të vij vetëm përmes një reforme, bashkimi dhe modernizimi të Partisë Demokratike.

Lëvizja më e fundit që ka nisur është një shpresë e fortë për këtë besim por duket që e ka tmerruar vërtetë (si kurrë më parë në këto 8 vjet) direkt Edi Ramën.

Pushteti i së majtës, që kishte kalkuluar perfekt, asgjesimin e PD, sot po kupton se situata ka marrë një kthesë dramatike. Demokratët po marrin vetë në dorë fatet e partisë së tyre.

Tentativa e pushtetit sot kur sheh se projekti i lig i tij po shkërmoqet, po tenton të sponsorizojë opinionin se lëvizja e z. Berisha do ta përçajë e dobësojë PD.

Kjo lëvizje jo vetëm që nuk mund të prodhojë asnjë përçarje, përkundrazi, do të mundësojë shkundjen e madhe, zgjimin që i duhet asaj partie, bashkimin që ajo meriton, forcimin që i takon!”, shkruan Nishani  

Sipas tij, largimi në anën tjetër i Bashës nga drejtimi nuk sjell përçarje.

“Me largimin e L. Bashës nga vendimmarrja personale mbi Partinë Demokratike nuk do të thotë se do të largohen të tjerë nga partia.

Ajo parti është pronë politike e të gjithëve. Askush nuk është i tepërt. Shumë më shumë të tjerë janë të nevojshëm.

L. Basha e ka kthyer atë parti në fasadën dhe pengun e E. Ramës”, shkruan Nishani.

Ish-Presidenti e konsideron teatër absurd edhe ngritjen e komisioneve hetimore nga Basha, ndërsa thekson se kryetari i PD-së  duhej të hetonte për rrugën e Kombit që është dhënë me konçesion apo ndërtimin e ri të Portit të Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë