Futboll

Një adoleshent 35 mln euro, Borusia blen super talentin anglez

Filozofia e klubit gjerman të Borusia Dortmund është shumë e qartë: nuk blen kampionë, por i krijon ata. Ose të paktën kontribuon t’i bëjë të tillë. Sipas asaj që raporton “Bild”, Jude Belingham, i datëlindjes 2003, mesfushor i Birmingham Sitit, ka arritur akordin me klubin gjerman për 35 milionë euro.

Rasti i fundit që tregon qartë filozofinë e Borusias ishte ai i Erling Braut Haland, i datëlindjes 2000. Norvegjezi kërkonte një skuadër, ku mund të rritej pa shumë presion dhe të arrinte skenat më të rëndësishme të futbollit botëror. Dhe zgjodhi të luajë pikërisht në “Signal Iduna Park”, ku prej dekadash rriten talente. Nëse duhen shembuj të tjerë, mjafton të shohësh formacionin e Borusias që sfidoi PSG-në në Champions, duke mundur Nejmarin me shokë: Sanço (2000), Reina (2002) dhe Zagadu (1999), pa llogaritur Moukokon, fenomenin 15-vjeçar që nuk mund të luajë me ekipin e të rriturve ende.

Jude Belingham, talenti i ri i Borusia Dortmund. Gazeta Si, 5 mars 2020

“Bild” shkruan se Borusia nuk ndalet së kërkuari talente për skuadrën e së ardhmes. I fundit në listën e klubit gjerman është një 16-vjeçar që do t’i kushtojë Borusias 35 milionë euro, një shifër shumë e lartë kjo për një adoleshent. Jude Belingham, mesfushori i Birmingham Sitit pritet të firmosë për Borusian, pasi palët kanë arritur akordin. Belingham ka luajtur titullar me skuadrën e tij në Championship (kategoria e dytë pas Premier League), pavarësisht moshës së re. Ai do të përfundojë sezonin në Angli për t’u bërë më pas shoqëri fenomeneve të tjerë të mijëvjeçarit të ri në Dortmund.

Një blerje, që ashtu si ajo e Haland, Borusia e ka bërë duke fituar konkurrencën me klubet e tjera. Për Belingham ishin interesuar gjysma e klubeve të Europës, me në krye anglezët, që kanë dashur të evitojnë një tjetër rast “Sanço”. Borusia, sipas “Bild”, ka lëvizur me shpejtësi de ka arritur akordin me Birminghamin. Shifra e shpenzuar nga klubi verdhezi nuk shënon një rekord për një lojtar minoren, sepse Vinicius i kushtoi Real Madridit 45 milionë euro. Gjithsesi, tani shumë sy do të jenë mbi Belingham, përveç peshës së kartonit më të shtrenjtë se shumë lojtarë të tjerë të Bundesligës. Por këto gjëra nuk kanë shumë rëndësi, sepse historia e Borusias na mëson diçka.

Momente nga loja e Belingham. Gazeta Si, 5 mars 2020


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë