Gazeta Si – Një e treta e Ukrainës ka mbetur pa energji elektrike pas sulmeve të ushtrisë ruse ndaj termocentraleve të vendit.
Qytetarëve iu është kërkuar të karikojnë gjithçka deri në mëngjes dhe të përgatiten për të qëndruar pa drita deri në orët e vona të mbrëmjes, pasi predhat ruse kanë dëmtuar rrjetin shpërndarës.
Impiantet e energjisë u goditën përsëri nga raketat ruse të mërkurën, si pjesë e një vale sulmesh të ngjashme tashmë që prej 10 tetorit.
“Ukrenergo” u bëri thirrje qytetarëve që të furnizohen me ujë dhe të sigurohen që të kenë rroba të trasha dhe u bëri thirrje që të karikojnë telefonat dhe gjithçka tjetër me bateri.
Presidenti Volodimir Zelenski tha se 30% e termocentraleve ukrainase ishin shkatërruar nga sulmet ajrore ruse.
“Ukrenergo” tha se ka pasur më shumë sulme në objektet e energjisë në 10 ditët e fundit sesa në të gjithë periudhën e mëparshme që nga nisja e sulmit rus më 24 shkurt.
Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar se nëse NATO vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë, do të përfshihet në një përplasje direkte ushtarake.
Për Rusinë, “rrjedhja e armëve të NATO-s në Ukrainë dhe ndihma ushtarake për Kievin” e afrojnë Aleancën Atlantike “në vijën e rrezikshme të konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak me ne”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova sulmoi misionin e planifikuar evropian të trajnimit për 15,000 ushtarë ukrainas dhe furnizimin me armë për forcat e armatosura ukrainase, duke deklaruar se kjo “rrit cilësisht përfshirjen e Bashkimit Evropian, duke e bërë dukshëm atë pjesë të konfliktit”. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje