U desh të vinte i njëjti kundërshtar, që Tirana të ritakohej me fitoren. Bardheblutë kishin fituar 2-3 fazën e parë në Fushë-Krujë me krutanët, kur drejtoheshin ende nga trajneri brazilian Ze Maria. Që atëherë skuadra më e titulluar në vend kishte “agjëruar”, edhe pse në stol u bënë ndryshime dhe vendin e brazilianit e mori Ardian Mema, i cili më në fund provoi shijen e fitores.
Katër gola ka shënuar Tirana, nga dy në secilën pjesë. Për të zhbllokuar rezultatin është dashur penalltia e fituar nga Sentamu dhe e kthyer në gol nga Edon Hasani. Në fundin e pjesës së parë dyfishoi Greca, kurse në pjesën e dytë ishte radha e afrikanëve Ngo dhe Sentamu për ta çuar rezultatin në 4-0. Dominim absolut i Tiranës, që këtë herë është shpërblyer me katër gola. Një fitore që mund të konsiderohet një pikë kthese për bardheblutë, por duhet pritur ndeshja e radhës me Laçin për ta konfirmuar këtë gjë.
Pozitiv është fakti që më në fund Tirana nuk ka gabuar në mbrojtje dhe nuk ka pësuar gol. Megjithatë, ndaj Kastriotit Tirana ka bërë thjesht detyrën dhe ndoshta është çliruar psikologjikisht. Ky trepikësh e ndihmon Tiranën të ngjitë një shkallë në klasifikim. Tashmë bardheblutë janë në vend të shtatë dhe kanë poshtë vetes Luftëtarin, Kastriotin dhe Kamzën.
Tirana-Kastrioti 4-0
Tirana: Abibi, Doka, Atinga, Hoxhallari, Imami, Krabeci, Daja, Hasani, Halili, Greca, Sentamu. Trajner: A.Mema.
Kastrioti: Kuka, Husein, Shehi, Çela, Stjepoviç, Domgjoni, Ymeraj, Okebuku, Shehu, H.Marku, Roxher. Trajner: S.Nica.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje