Politike

Një gjë të mirë e pati gishti i mesit i Belos…  

Një xhest jo etik për të shpërfaqur një simbolikë me konotacion politik se i ngre gishtin e mesit korrupsionit nga Belind Këlliçi shkaktoi një furtunë reagimesh që u pasqyruan bollshëm kryesisht në mediat që sot anojnë drejt kandidatit përballë tij, Erion Veliaj.

Deri diku me të drejtë, pavarësisht qëllimit primar. Dikush nga stafi i PR-it i Belind Këlliçit duhet ta mendonte më ftohtë dhe jo me aq lehtësi logjike politike para se t’i sugjeronte kandidatit të opozitës atë xhest që të paktën në Shqipëri lë vend për hapësira kontestimi dhe kritika.   

Vetë stafi i kandidatit brenda 24 orësh ndryshoi posterin. Dhe ky nuk ishte reflektimi i vetëm.

Për herë të parë “gishti i mesit” i Belos na mësoi se paska shoqata e aleanca që as i kishim dëgjuar aq vrik për fenomene jo vetëm të ngjashme që rëndom i shohim përditë, por shumë herë më të rënda.  

Xhesti i Belos na ftilloi se nuk paskemi vetëm Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi që mbush ditët e punës kryesisht me leksione për studentet e citate për të drejtat e njeriut, paskemi edhe Aleancë kundër Gjuhës së Urrejtjes që qenka ngritur prej tre vitesh, paskemi edhe Urdhrin e Psikologut më të dobishëm nga sa e kishim perceptuar, paskemi myftinj e përfaqësues kishash shumë më të zellshëm (nga sa mendonim) ndaj fenomeneve ku realisht duhet të flasin, paskemi edhe Këshill Prindërish që si kishim dëgjuar me aq tonalitet kundrejt një mijë e një problemeve që kanë sot fëmijët nëpër shkolla, paskemi edhe Urdhrin e Punonjësve Social që prezantohen bollshëm si buletin me njoftime për vende pune dhe si është ngritur organigrama. E bënë edhe ata një përjashtim. Të martën pasdite, një shirit i kuq të zinte sytë si reagim publik në faqen e tyre zyrtare. Ai për xhestin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”…

Ja që një gjë të mirë e paskësh pasur gishti i mesit i Belos…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë