Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha në një konferencë për shtyp se kishte marrë “informacione nga agjencitë e inteligjencës të vendeve të tjera”, mbi përgatitjet për një grusht shteti të planifikuar për 1 dhjetor në Kiev. Sa i përket shqetësimit për aktivitetin ushtarak rus në kufi, presidenti paralajmëroi Moskën se Ukraina është “plotësisht e përgatitur për një përshkallëzim”.
Komentet e Zelenskit u bënë gjatë një konference për shtyp në Kiev, të cilat pasojnë nisjen e grumbullimit të mijëra trupave ruse në rajonet perëndimore në Krimenë e aneksuar prej vitit 2014.
Ai komentoi edhe mundësinë e rrëzimit të qeverisë së tij. “Kemi përballë sfida jo vetëm nga Federata Ruse dhe përshkallëzim të mundshëm, por kemi edhe sfida të brendshme. Kam marrë informata për një grusht shteti të mundshëm në Ukrainë më 1 ose 2 dhjetor”, deklaroi ai. Megjithatë, Zelenski nuk ka dhënë detaje lidhur me një kërcënim të tillë dhe nuk e akuzoi Rusinë për përfshirje.
Në qarqet e sigurisë kombëtare të Ukrainës qarkullon edhe audio. “Ne kemi jo vetëm informacione nga agjencitë, por edhe informacione audio, në të cilat përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë dyshohet se po diskutojnë pjesëmarrjen e oligarkut Rinat Akhmetov në grushtin e shtetit në Ukrainë”, shpjegoi Zelenski, i cili megjithatë shtoi se nuk beson se Akhmetov do të përfshihet vërtet.
Zelenski saktësoi se “vetë Akhmetov nuk po planifikon një grusht shteti”, ai u tërhoq “nga disa përfaqësues rusë dhe disa shokë të Ukrainës” të cilët u përpoqën “ta përfshinin atë”.
Mediat botërore, si “The New York Times” dhe “Bloomberg”, cituan zyrtarë amerikanë dhe paralajmëruan se Rusia mund të sulmojë këtë dimër dhe sipas informacioneve, niveli i sulmit mund të ishte më i madh se ai i vitit 2014, kur u aneksua Krimeja.
Zelenski, po ashtu tha që Ukraina ka kontroll të plotë ndaj kufijve të saj dhe është gati të parandalojë çdo agresion rus. “Sot ka rrezik që nesër mund të ketë luftë. Jemi krejtësisht gati për çdo përshkallëzim”, theksoi Zelenski.
Më herët, gjatë nëntorit, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se Uashingtoni është i shqetësuar lidhur me lëvizjet ushtarake ruse dhe ofensivën e re të mundshme, e që, sipas tij, do të ishte një gabim serioz.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje