Sport

Një hetim i tretë për vdekjen e Marko Pantanit, hyn në lojë edhe Antimafia

Një avokat i ri, Fiorenco Alesi nga Rimini, shumë i njohur në botën e çiklizmit, pasi ka mbrojtur edhe Rikardo Riko në hetimet sportive në lidhje me dopingun. Një material prej 51 faqesh i dorëzuar te kryeprokurorja e Riminit, Elizabeta Meloti, dhe vullneti i familjes për të hedhur dritë përfundimisht për atë çfarë ndodhi mbrëmjen e Shën Valentinit të 14 shkurtit 2004, në rezidencën “Le Rose” të Riminit, ku qëndronte Marko Pantani.

Një luftë e vazhdueshme ajo e nënës Tonina dhe babait Paolo për t’i dhënë një imazh të ri “Piratit”, fitues i “Giro d’Italia” dhe “Tour de France” në 1998-ën, i ndarë nga jeta në moshën 34-vjeçare. Është e disata përpjekje për të hedhur poshtë versionin e deritanishëm zyrtar: overdozë kokaine.

Marko Pantani gjate nje gare. Gazeta Si, 23 nentor 2021

Prokuroria e Riminit ka hapur një hetim të ri për vdekjen e Pantanit për të kuptuar, nëse ai është vrarë apo jo. Nga dy hetimet e mëparshme, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Kasacionit, ish-çiklisti vdiq për shkak të overdozës nga kokaina, por familja e tij nuk e ka besuar kurrë këtë hipotezë.

“Nuk dua hakmarrje, por vetëm të vërtetën. E vërteta nuk ka dalë ende”, – ka thënë nëna Tonina, e cila ka takuar ditët e fundit krerët e Prokurorisë së Riminit dhe u ka shpjeguar për dy orë të gjitha dyshimet dhe pikëpyetjet, që sipas familjes, nuk kanë marrë kurrë përgjigje.

Hetimi i tretë për vdekjen e Pantanit lind nga fjalët e thëna në 2019-ën nga Fabio Miradosa, që i dha drogën sportistit: “Marko është vrarë”. Me çështjen është angazhuar tashmë edhe Antimafia pas fjalëve të Miradosës, por edhe atyre të Renato Valanxaskës, i cili është shprehur në burg se eksponentë të krimit të organizuar afër “Camorras” donin përjashtimin e Pantanit nga “Giro 1999”, ku ai fitoi dy etapa para fundit. Histori bastesh dhe parash.

Ish-bosi i mafias, Renato Velanxaska. Gazeta Si, 23 nentor 2021

Ish-bosi i organizatës kriminale, ka shpjeguar: “Më thanë të vija bast kundër Pantanit, sepse ai nuk do ta përfundonte garën”. Komisioni Antimafia ka dëgjuar edhe dëshmitarë të ndryshëm dhe ka çuar materialin në Prokurorinë e Riminit. Këto dokumente, plus shtytja e familjes së Pantanit, bënë që prokurorja e re e Riminit, Meloti, të hapë një hetim të ri, i treti për vdekjen e Pantanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë