Shorti i hedhur në Nion për Kupat e Europës nuk ishte me fat për 4 skuadra shqiptare: Partizanin që merr pjesë në Ligën e Kampionëve dhe Kukësin, Teutën dhe Laçin që marrin pjesë në Ligën e Europës. Kundërshtarët janë të gjithë të fortë dhe opinioni sportiv gjykon në përgjithësi se do të jetë sukses, nëse ndonjë nga 4 skuadrat tona do ta kalojë turin e parë eliminator. Partizani ndeshet me Karabakun e Azerbajxhanit, Kukësi me hungarezët e Debrecenit, Teuta me letonezët e Ventspils dhe Laçi me izraelitët e Hapoel Ber Shevës.
Që nga hedhja e shortit, 4 skuadra tona kanë pësuar ndryshime në grupin e lojtarëve dhe janë duke bërë përgatitje maksimale për sfidat europiane. Ndeshjet e para luhen mesjavën e ardhshme dhe stafet teknike janë duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve, për të fiksuar edhe 11-shin e titullarëve, me të cilin do të synojnë suksesin. I pari zbret në fushë Partizani, që luan më 10 korrik në Azerbajxhan. Një ditë më pas është radha e Teutës, Kukësit dhe Laçit. Kurbinasit janë të vetmit që ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Euroëps do ta luajnë në fushën e tyre. Të katërta skuadrat kanë bërë lëvizje gjatë merkatos dhe rrjedhimisht kanë ndryshuar edhe formacionet. Më shumë lëvizje ka bërë Teuta, kurse më pak Laçi.

Partizani është i vetmi ekip që ka ndryshuar trajner pas mbylljes së kampionatit, ku u shpall kampion pas 26 vitesh. Vendin e Skënder Gegës e ka marrë italiani Franko Lerda, i cili, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk ka sjellë me vete lojtarë nga vendi fqinj, por merkaton ia ka lënë në dorë drejtorit të përgjithshëm të klubit të kuq, Olsi Rama. Nga ekipi janë larguar sulmuesi Rubin Hebaj dhe mbrojtësi afrikan, Sodiq Atanda, ndërkohë që janë afruar zyrtarisht braziliani Uilliam Kordeiro, mbrojtësi shkodran Esin Hakaj dhe kosovari Rron Broja. Mund të ketë ndonjë shitje në vazhdim, ku më i kuotuari është Lorenc Trashi. Trajneri Lerda e ka testuar ekipin me disa miqësore të zhvilluara në Slloveni, ku u krye faza përgatitore. Dilema e madhe e italianit ka të bëjë me sulmuesin kryesor, ku herë ka aktivizuar Mensah dhe herë Çinarin, lojtarin më në formë në fundin e kampionatit. Jurgen Bardhi ka probleme dhe me shumë mundësi nuk luan në ndeshjen e parë me Karabagun. Një tjetër shqetësim është partneri i Belicës në mbrojtje, pas largimit të Atandës. Nga afrimet e deritanishme, titullar i sigurt është ish-lojtari i Kukësit, Kordeiro.

Kukësi ka humbur lojtarë mjaft të rëndësishëm pas mbylljes së kampionatit, siç janë të huajt Irakli Dzaria, Rexhinaldo dhe Uilliam Kordeiro. Të tre lojtarë me kualitet dhe përvojë, ndërkohë që është larguar edhe portieri rezervë, Moris Gomis. Nga ana tjetër, ekipi i drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka është përforcuar me mbrojtësin maqedon Tome Kitanovski, ish-mbrojtësin e Skënderbeut Bruno Lulaj, ish-portierin e Kamzës Ilir Avdyli, ish-sulmuesin e ri të Dinamos Marko Van Basten Çema, si dhe ish-lojtarin e Flamurtarit, Emiljano Musta. Kukësi është ndoshta ekipi që ka më shumë shanse për t’u kualifikuar në turin tjetër. Trajneri Gjoka do të mbështetet te lojtarë si Valdet Rama, Vasil Shkurtaj, Eduard Rroca, Ylli Shameti, Ardian Cuculi etj.

Teuta ka ndërruar një pjesë të madhe të ekipit. Me durrsakët janë bashkuar lojtarë shqiptarë dhe të huaj. Sulmuesi malazez Darko Nikaç është përforcimi i fundit, ndërsa më parë janë afruar edhe Arlind Kalaja, Albano Aleksi, Aleksandros Kuros, Bllagoja Todorovski dhe Rustem Hoxha. Praktikisht, trajneri Bledi Shkëmbi ka ndryshuar thuajse gjithë mbrojtjen. Nga ekipi janë larguar Armando Vajushi, Esin Hakaj, Ditmar Bicaj, Amadu Latif dhe Erlis Frashëri. Durrsakët mund të bëjnë diçka pozitive ndaj letonezëve të Ventspils, ekipit që “masakroi” Luftëtarin një vit më parë. Laçi, si gjithmonë, ka bërë pak lëvizje edhe këtë verë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Sulejman Starova është forcuar brazilianin Guimaraesh dhe mesfushorin e Kastriotit Julian Shehu, por janë larguar sulmuesit Mane dhe Okpotu. Me Hapoel Ber Shevën do të jetë shumë e vështirë në Ligën e Europës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje