Ne rrjet

Një mega-hakerim edhe në Kinë, vidhen të dhënat e 1 miliard qytetarëve?

Një haker, i njohur si “ChinaDan”, thotë se vodhi një sasi të madhe të dhënash private dhe publikoi ‘online’ një pjesë "të vogël" me 750,000 njerëz. Ai kërkon një shpërblim prej 10 bitcoin. Autoritetet e Pekinit aktualisht nuk kanë reaguar

Gazeta Si – A mund të vidhen të dhënat e një miliard qytetarëve në ueb me një goditje? Në Kinën e një numri të madh popullsie (dhe të shoqërisë nën mbikëqyrje ekstreme), ndoshta po.

Veprimi u pretendua nga një haker, ose nga një grup piratësh kibernetikë, të cilët e cilësojnë veten “ChinaDan” dhe që postuan një njoftim në rrjet: ai nxori në shitje 750,000 regjistrime që përmbajnë emra, data të lindjes, kartat e identitetit, numrat e telefonit, adresat dhe raportet e detajuara të policisë për po aq kinezë.

Sipas “ChinaDan”, 750 mijë dokumentet janë vetëm një shembull i vogël i materialit të vjedhur nga baza e të dhënave të policisë së Shangait. Shpërblesa për materialin kompromentues u caktua në 10 bitcoin, ekuivalente me vlerësimin aktual prej rreth 200,000 dollarë.

Autoritetet, natyrisht, nuk u përgjigjën dhe askush nuk e di zyrtarisht nëse akti i piraterisë ishte kryer në të vërtetë.

Para së gjithash, njeriu pyet veten nëse policia e Shangait, e cila ka 25 milionë banorë, mund të ketë profilet e një miliard kinezëve në serverin e saj.

Dhe përgjigja mund të jetë pozitive, sepse prej vitesh Kina është angazhuar publikisht për të ndërtuar një bazë të dhënash të pamasë në shërbim të “sigurimeve shoqërore”.

Bëhet fjalë për ruajtjen në internet të çdo informacioni të dobishëm për vlerësimin e “kreditit social” të çdo qytetari, për t’ia bërë jetën më të lehtë nëse ai respekton ligjin ose për t’ia bërë të pamundur nëse shkon shumë larg nga rruga e duhur (p.sh. nëse nuk paguan llogaritë e kartës së kreditit), nëse ka pasur aksidente automobilistike për fajin e tij, nëse kryen vepra penale dhe kundërvajtje administrative të çdo lloji.

Kina ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh dhe për këtë arsye, është më se e mundur që me kalimin e viteve një miliard dosje personale të jenë grumbulluar tashmë në të gjithë vendin.

Më pas, për të lejuar policinë të ndërhyjë, të dhënat mund të jenë shpërndarë dhe vënë në dispozicion të departamenteve kryesore të policisë, si Shangai.

I vetëshpalluri “ChinaDan”, nisi shantazhin e tij më 30 qershor dhe menjëherë në ueb-in kinez lajmi filloi të përhapet, duke ngjallur interes të madh në rrjetet sociale “WeChat” dhe “Weibo”.

Censura ndërhyri shpejt, duke bllokuar hashtagun #DatirubatiShanghai. Ndërhyrje për të ndalur thashethemet e pakontrolluara dhe të rreme? Apo një siklet nga rrjedhja më e madhe private e informacionit në historinë e internetit?

Në Tëitter, Zhao Changpeng, CEO i shkëmbimit të kriptomonedhave ‘Binance’, shkroi se ekspertët e tij kanë identifikuar veprimin e piraterisë dhe kanë “rritur nivelin e kontrollit dhe verifikimit të përdoruesve potencialisht të prekur”.

Gazeta amerikane “Wall Street Journal” me gazetarët e saj në Kinë ka kryer një sondazh, duke kontaktuar me telefon disa nga qytetarët në listën prej 750 mijë.

Rezultati: pesë persona konfirmuan të gjitha të dhënat, përfshirë disa detaje të rastit që vetëm policia mund t’i kishte mbledhur rreth tyre.

Një farë Wei, i cili në të kaluarën kishte raportuar një mashtrim kundër vetes (që përmbante procesverbali i tij gjyqësor i zbuluar) psherëtiu: “Ne jemi të gjithë lakuriq”, duke përdorur një shprehje që në Kinë i referohet mungesës së privatësisë.

Katër subjekte të tjera konfirmuan të dhënat bazë, si emrat dhe adresat, përpara se të përfundonin papritur bisedën.

Vjedhja e të dhënave në ueb-in global, nuk është asgjë e re. Në vitin 2021, u zbuluan 4,145 që përfshinin 22 miliardë dokumente, sipas kompanisë së sigurisë kibernetike, “Risk Based Security”.

Vitet e fundit, autoritetet e Pekinit kanë qenë shumë të shqetësuara për mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht për shkak të zhvillimit të madh të kompanive të tregtisë elektronike.

U miratua një ligj sigurie që futi shumë kufizime në biznesin e gjigantëve, si Alibaba dhe Tencent. Por sigurisht, askush nuk mendoi për kufizimin e bazave të të dhënave të zbatimit të ligjit.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë