Nga Sarah Gristwood- Vetëm gjashtë fjalë në deklaratën e shkurtër nga Buckingham Palace e sollën lajmin.
“The King and The Queen Consort” (Mbreti dhe bashkëshortja Mbretëreshë). Kështu u njoftua se Charles dhe Camilla do të kalonin natën në Balmoral përpara se të udhëtonin për në Londër. Edhe më shumë se deklarata kryesore e vdekjes së Elizabeth II të enjten, këto gjashtë fjalë i thanë botës se një epokë kishte marrë fund.
Për 70 vjet, britanikët janë mësuar të këndojnë “God Save the Queen” dhe ndryshimi në “God Save the King” do të jetë i vështirë për ta. Flamujt, monedhat, kartëmonedhat dhe pullat në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar së shpejti do të duken ndryshe.
Por ndryshimi i seksit në krye të Familjes Mbretërore shkon përtej këtyre ndryshimeve në dukje të vogla.
Sovraniteti i Mbretëreshës Elizabeth u përcaktua nga gjinia e saj edhe para se të vinte në fron. Ajo ishte gjithmonë “trashëgimtare e supozuar” dhe jo “trashëgimtare e dukshme”, pasi, teorikisht, çdo vëlla i lindur vonë do ta zëvendësonte atë. Pas vdekjes së babait të saj, ajo ishte e vetëdijshme se do të ishte e rrethuar nga burra të vjetër dhe me përvojë në poste drejtuese dhe kjo i dha formë stilit pak të qetë por të vendosur të mbretërimit të saj të hershëm.
Edhe pse ajo do ta ruante gjithmonë atë ndjenjën e frikshme të detyrës, vetëm në vitet e saj të mëvonshme do të dilte në pah forca e Elizabeth II.
Ndryshimi i roleve gjinore në vitet 1950 ishte sigurisht një problem për bashkëshortin e saj. Para se Elizabeth të bëhej mbretëreshë, Princi Philip tha se për të nuk ishte problem që të ndryshonin rolet. Por pasi gruaja e tij u bë Mbretëreshë në vitin 1952, gjërat dhe mendimet ndryshuan.
Ai tha në një intervistë se gjithçka kishte ndryshuar në jetën e tyre aq sa një herë atij i ishte kërkuar të mos përfshihej në një debat të Mbretëreshës. Gjithashtu pati shumë diskutime edhe për faktin nëse pasi të kishte fëmijë, Mbretëresha duhej të vazhdonte të ishte në krye të vendit apo të kujdesej për fëmijët e saj.
Por për vetë mbretëreshën e re, të qenit grua kishte edhe avantazhe. Jo vetëm që ajo mund të shfaqej si një figurë romantike, magjepsëse por ajo mund të bazohej në kujtimin e paraardhësve të saj të shquar, Elizabeth I dhe Victoria. Siç deklaroi kryeministri i parë i Elizabeth II, Winston Churchill, “të famshme kanë qenë mbretërimet e mbretëreshave tona”.
Në dekadat e mëvonshme, ajo ishte në gjendje të shijonte rolin e gjyshes së dashur të kombit, duke u munduar gjithmonë të ishte popullore.
Përparësitë e gjinisë së saj për vetë monarkinë, megjithatë, mund të kenë qenë më të thella.
Kryeministrat e njëpasnjëshëm kanë përshkruar se sa të dobishëm e gjetën komunikimin e tyre javor me Mbretëreshën. Jo vetëm që ishte thuajse e vetmja bashkëbiseduese me të cilën ata mund të flisnin hapur, pa frikë nga pakujdesia apo grindjet e brendshme politike, por ishte edhe një bashkëbiseduese unike e mirëinformuar.
Një mbretëreshë, tradicionalisht, ka qenë një figurë e butë, ndërmjetësuese, e pajisur ndoshta me një forcë dhe mençuri të qetë, por në thelb e vendosur.
Më parë, një mbretëreshë, si Elizabeta e parë, në krahasim me një bashkëshorte mbretëreshë mund të merrte një rol më aktiv.
Dikur Elizabeta I deklaroi se kishte trupin “e një gruaje të dobët, por “zemrën e një mbreti”.
Në ndryshim nga një mbretëreshë, një mbret, historikisht, supozohet të jetë i fuqishëm, dominues. Udhëheqja e ushtrive në betejë apo krijimi i ushtrisë më të fortë. Kjo është diçka që nuk mendohet shumë në botën moderne dhe ideja tradicionale e një mbreti është një imazh që nuk përshtatet me shekullin e 21-të.
Është padyshim për të ardhur keq që tre “banorët” e ardhshëm të fronit britanik (pas Elizabeth II) janë meshkuj: Charles, William dhe George. Kishte një rezervë për një kohë të gjatë për të parë Charles III në fron. Shumë kishin mbajtur anën e gruas së tij Dianën në “Luftën e Uellsit” të ashpër, të tjerët mendonin se ndërhyrjet e tij të hapura në çështjet publike ishin të papërshtatshme për të, roli i të cilit është të qëndrojë neutral.
Vitet e fundit, nëna e tij bëri gjithçka që mundi për ta rregulluar atë. Jo vetëm që e lejoi Charles të merrte disa nga funksionet e saj, por ajo deklaroi dëshirën e saj që ai ta ndiqte atë si kreu i Komonuelthit dhe, më e rëndësishmja, që gruaja e tij Camilla të njihej si bashkëshortja e tij mbretëreshë.
Gjeste të tilla ndihmojnë, por ato mund të shkojnë aq larg vetëm për të forcuar pozicionin e Charles.
Një burrë shpesh i akuzuar dhe i fajësuar për një sërë ndodhish, Charles është kujdesur të tregojë anën më të ngrohtë të tij, duke përshëndetur turmat e mbledhura jashtë Pallatit Buckingham dhe duke u siguruar atyre se ai do t’u shërbente me ‘dashuri’.
Mbreti Charles III, me fjalë të tjera, ka bërë një fillim të mbarë por gjithsesi është e rëndësishme që ai të pranojë se feminizimi i monarkisë është këtu për të qëndruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje