Futboll

Një “rival” për Rejën, Dik Advokat merr drejtimin e Irakut në moshën 74-vjeçare

Dik Advokat ka vendosur ta zgjatë karrierën e tij si trajner përreth botës. Holandezi, në moshën 74-vjeçare, është trajneri i ri i Irakut. Një “rival” i denjë sa i takon moshës për trajnerin e Kombëtares tonë, Edi Reja, i cili është një vit më i madh, 74 vjeç. Bashkë me Oskar Tabares të Uruguajit, me siguri janë tre tajnerët më të vjetër në moshë që drejtojnë skuadra kombëtare.

Advokat e ka marrë drejtimin e Irakut me objektivin për ta kualifikuar për në Botërorin e 2022-shit në Katar. Pas ndarjes me Fejnordin, këto ditë trajneri i njohur ka gjetur në Madrid akordin me federatën irakene, që e ka zyrtarizuar tashmë si trajnerin e ri, duke zënë vendin e sllovenit Sreçko Katanec.

Dik Advokat më parë ka drejtuar disa kombëtare në karrierën e tij. Përveç Holandës, që e ka drejtuar tri herë, ai ka qenë edhe në krye të Koresë së Jugut, Belgjikës, Rusisë dhe Serbisë. Gjithashtu, ka drejtuar edhe klube të ndryshme, ku veçohen PSV Eindhoven, AZ Alkmar, Gllasgou Rejnxhërs, Borusia Mënshegladbah, Zenit, Sanderlend, Fenerbahçe dhe Fejnord.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë