Bota

Një tërmet me magnitudë 6 ballë godet bregun lindor të Tajvanit

Gazeta Si – Një tërmet me magnitudë 6 ballë u regjistrua në orën 12:03 me orën lokale (5:03 në Europë) në brigjet lindore të Tajvanit.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 30 kilometra nga brigjet e Hualienit, me një thellësi prej gjashtë kilometrash.

Shërbimi Gjeologjik amerikan raportoi se tërmeti ishte 5.9 ballë dhe me një thellësi prej 12 kilometrash. Ende nuk ka raportime për dëme apo viktima.

“Tërmeti është ndierë në mbarë Tajvanin, pasi thellësia e tij ishte e vogël”, tha Chen Kuo-chang, kreu i qendrës sizmologjike të Tajvanit.

“Janë regjistruar edhe tetë tërmete pasuese dhe ne presim që të ketë edhe më shumë dridhje të tokës në ditët në vijim”, shtoi ai.

Autoritetet që operojnë me hekurudhat dhe sistemin e metrosë, thanë se trenat do të ngadalësojnë shpejtësinë, por shërbimet nuk do të ndërpriten.

Tajvani shpesh goditet nga tërmetet, pasi ky ishull gjendet pranë vendit ku takohen dy pllaka tektonike.

Në shtator, bregu lindor i Tajvanit u godit nga një tërmet prej 6.9 ballësh, duke lënë të vdekur një person dhe duke rrëzuar disa ndërtesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë