Ju njohim me trajnerin që në 5 muaj transformoi ekipin e shqiponjave në Portugali, Benfikën, duke fituar 18 nga 19 ndeshje të luajtura nën drejtimin e tij. I riu nga Setubali, ashtu si Zhoze Mourinjo, e ka ndryshuar lojën e skuadrës, duke i dhënë ritëm me talentet më premtues të dalë nga sektori i të rinjve.
Komplimentin më të bukur ia ka bërë një koleg, Alvaro Magalhaes i Farense: “Bruno? Dukej që te Benfika B, në krye të klasifikimit, me një lojë fantastike. Ka bërë të njëjtën gjë edhe me ekipin e parë, ka transmetuar besim dhe ka dhënë udhëzimet e duhura, duke ringjallur lojtarë që dukeshin të mbaruar si Samaris”. Ai është Bruno Miguel Silva do Nascimento, i njohur ndryshe si Bruno Lage. Sapo ka mbushur 43 vjeç, është djali i Fernandos, ish-lojtarit të Setubalit, edhe ai trajner. Është shpallur kampion i Portugalisë me Benfikën, me numra të pabesueshëm për një debutues në Primeira Liga: 18 fitore dhe 1 barazim në 19 ndeshje që nga 3 janari, kur zëvendësoi Rui Vitorian. Nga -7 pikë ndaj Portos, e mbylli kampionatin me +2 pikë, me 103 gola të shënuar në kampionat (vetëm Ajaksi dhe PSG-ja kanë bërë më mirë me 119 dhe 104 gola). Me të në stol, Benfika ka shënuar 72 gola në 19 ndeshje, me një mesatare prej 3.8 golash për ndeshje.

Bruno Lage është “mbreti” i ri i Portugalisë dhe në Lisbonë ka nisur krahasimi me një tjetër maestro nga Setubali, Zhoze Mourinjon. Edhe Zhoze e ka nisur te Benfika në 2000-shin, kur ishte 37 vjeç, për të udhëhequr Porton 4 vite më pas. Edhe Mourinjo nuk kishte qenë një futbollist i madh. Lage u tregua menjëherë i zoti me materialin që gjeti te Benfika. Me ardhjen e tij në ekip, sulmuesi Haris Seferoviç e mbylli kampionatin si golashënuesi më i mirë, me 23 gola. Por ajo që i intereson më shumë presidentit të Benfikës, Luis Filipe Vieira, është se Lage u ka besuar talenteve si Zhoao Feliks, 19-vjeçarit që ka shënuar 15 gola në 26 ndeshje në sezonin e parë në Primeira, përveç 5 golave të shënuar në Kupa. Feliks vlen në këtë moment 60 milionë euro dhe ka një klauzolë për prishjen e parakohshme të kontratës me Benfikën prej 120 milionë eurosh. Lage i ka besuar po ashtu mbrojtësit Ruben Dias, 22 vjeç, lojtar i kombëtares portugeze që vlerësohet 40 milionë euro, si dhe ish-lojtarit të Barcelonës, Aleks Grimaldo, 23-vjeçarit që më në fund ka shpërthyer. Të tjerë talente janë gati, si Gedson Fernandes, trekuartisti 20-vjeçar, që në shtator debutoi me Portugalinë, apo edhe Zhoao Filipe.

Skuadra e dytë e Benfikës ishte trampolinë për Bruno Lage. Ai ka punuar me sektorin e të rinjve të Benfikës në periudhën 2004-2012, duke fituar dy tituj. Trajneri 43vjeçar është diplomuar në Edukim Fizik dhe ka rritur lojtarë si Bernardo Silva i Mançester Sitit, Zhoao Kanselo i Juventusit, Gonçalo Guedes i Valencias, Helder Kosta i Volverhempton dhe Roni Lopes i Monako. Në moshën 21-vjeçare, Lage ka luajtur me të rinjtë e Vitoria Setubal, – ashtu si Mourinjo -, më pas me Fazendense, Comercio e Industria, Vendas Novas dhe Sintrense. Në moshën 27-vjeçare ka drejtuar të rinjtë e Benfikës. Dy sezone ka qenë pjesë e Shabab Al-Ahli dha Dubai në Emiratet e Bashkuara, me U-19-ën dhe ekipin e dytë. Më pas, nga 2015-a në 2017-ën, te Shefielld Uednesdei në Championship me mësuesin e tij Karlos Karvalhal, ish-trajner i Sportingut dhe Beshiktashit. Po me Karvalhalin punoi si ndihmëstrajner në Uells, tek ekipi i Suonsit në Premier League, në sezonin 2017-2018.

Një tjetër mësues i tij, siç e ka theksuar shpesh Bruno, ka qenë Jaime Graça, edhe ai nga Setubali, ish-mesfushor i Vitorias, Benfikës dhe kombëtares portugeze në vitet ‘60-70, më pas trajner dhe koordinator i sektorit të të rinjve. Lage është ndihmuar shumë edhe nga vëllai i tij i vogël, Luis Nashimento, me të cilin ka punuar te të rinjtë dhe e ka marrë me vete edhe te skuadra e parë. Trajneri 43-vjeçar ka publikuar dy libra në lidhje me stërvitjen dhe metodat e mësimit të futbollit. “Është thelbësore t’i përcaktosh principet më të rëndësishme për faza të ndryshme të lojës në funksion të aftësive të lojtarëve dhe të përcaktosh pastaj perspektivat e evoluimit”, – ka shkruar ai. Bruno Lage nga Setubali premton të bëjë më mirë se Mourinjo.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje