Futboll

Një tjetër vit makthi, arsyet e dështimit të radhës të Italisë në Europë

Të paktën është Italia e Mançinit, sepse nëse bën një bilanc të sezonit të futbollit italian në Europë, duke vlerësuar vetëm klubet, verdikti është i tmerrshëm. Në Ligën e Kampionëve, skuadra gati kampione e Serisë A u eliminua që në fazën e grupeve. Në Ligën e Europës Italia humbi një pjesë në 1/16-at, një në 1/8-at dhe tani po ikën edhe Roma, skuadra e vetme që kishte mbetur.

Që do të kishte probleme, u kuptua që një vit më parë, kur në Ligën e Kampionëve Italia shkoi me vetëm një skuadër në çerekfinale, Atalantën, ndërsa në Ligën e Europës shkoi deri në finale, por fitoi Sevilja. Italia në nivel klubesh nuk fiton një trofe europian që nga viti 2010. Nga ai moment ka shkuar vetëm 3 herë në finale dhe kuptohet se na çfarë situate është.

Bruno Fernandes, i pavlefshëm në Itali, yll te Mançesteri. Gazeta Si, 30 prill 2021

Nuk mjafton më justifikimi me superioritetin ekonomik të vendeve të tjera, edhe pse dihet që anglezet, spanjollet dhe gjermanet kanë më shumë burime financiare. Po të reflektosh rreth faktit që një lojtar i dalë skarco në Itali, si Bruno Fernandes, është “killeri” i Romës, kupton që ka edhe gjëra të tjera që nuk shkojnë.

Shpesh është thënë se futbolli në Itali është shumë konservator, i paaftë të prodhojë lojë imponuese. Nuk mund të mohohet ndërkohë që thuajse të gjithë trajnerët italianë, apo ata të importuar si Fonseka, përpiqen të zhvillojnë një futboll të orientuar më shumë drejt manovrës sulmuese. Por edhe kjo nuk mjafton.

Arsyet e dështimit italian janë të lidhura më shumë me faktin që në kampionate të tjera aplikohet loja një kundër një, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese, pa u përqendruar shumë te lëvizjet e reparteve. Kështu lojtarët kanë më shumë liri, edhe pse janë brenda një organizimi preciz si skuadër. Për këtë arsye ndeshjet e kampionateve të tjera duken më të gjalla, më të shpejta dhe me më pak ndërprerje. Ndryshimi duhet të jetë kulturor dhe është i vështirtë të vihet në praktikë. Pa paratë, duhen idetë…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë