Bota

Nju Jorku shpërblen ata që marrin vaksinën anti-Covid, 100 dollarë për secilin

“Njëqind dollarë për ata që vaksinohen”. Është ideja e fundit e dëshpëruar që zbulon të gjithë frustrimin e autoriteteve amerikane në qytetin e Nju Jorkut në luftën kundër pandemisë Covid 19.

“Stimujt ndihmojnë jashtëzakonisht. Unë mendoj se kjo është një masë shumë, shumë tërheqëse për njujorkezët dhe që do të ketë një ndikim të madh”, – tha kryebashkiaku, Bill De Blasio.

Stimujt do të fillojnë të premten, 30 korrik dhe do të jenë në dispozicion për këdo që merr dozën e parë të vaksinës në një nga objektet e menaxhuara nga qyteti.

Fondet do të disbursohen përmes një kartele debiti të parapaguar, e cila do të shpërndahet gjatë 15 minutave të vëzhgimit të atyre që do të vaksinohen për arsye sigurie.

Njoftimi pasqyron gatishmërinë e De Blasios dhe këshillit të qytetit për të nxitur fushatën e vaksinimit dhe për të shmangur një valë të re në qytet, që tashmë ka qenë epiqendra e pandemisë në Amerikë.

Pikërisht për këtë arsye, ditët e fundit, kryetari i bashkisë ka vendosur detyrimin e vaksinimit për të gjithë punonjësit publikë të qytetit.

Ndërsa ata që, sipas dëshirës ose për arsye shëndetësore dhe fetare, nuk mund të vaksinohen, do të duhet t’i nënshtrohen një testi të përjavshëm anti-Covid. 59% e popullsisë së qytetit ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 54% janë plotësisht të vaksinuar.

Gjetja e re e De Blasios, është pjesë e nismave të kryera në nivel shtetëror.

Nga ana tjetër, guvernatori njujorkez, Andrew Cuomo ka filluar negociatat me sindikatat për të imponuar kërkesën për vaksinë.

Në këtë shtet, u regjistruan 2,203 raste të reja të Covid krahasuar me 275 në 28 qershor. Shumica e infeksioneve të reja janë në Nju Jork Siti dhe disa zona të Long Island.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë