Bota

Norvegjia heq kufizimet e fundit të COVID-19

Norvegjia të shtunën (12 shkurt) hoqi kufizimet e saj përfundimtare për COVID-19, duke hequr detyrimin për distancimin shoqëror dhe maskat në hapësirat e mbushura me njerëz.

“Ne po heqim rekomandimin për distancimin shoqëror,” u tha gazetarëve Kryeministri, Jonas Gahr Store në një konferencë për shtyp.

“Tani ne mund të shoqërohemi si më parë, në jetën e natës, në ngjarje kulturore dhe raste të tjera sociale,” tha ai.

Norvegjia hoqi shumicën e kufizimeve të tjera në fillim të këtij muaji, duke përfshirë punën në distancë, numrat e personave që lejohen në grumbullime dhe shitjet e kufizuara të alkoolit në bare dhe restorante.

Kërkesa për t’u izoluar për katër ditë pas një testi pozitiv për COVID-19 ndërkohë u ul të shtunën në një rekomandim dhe fëmijëve me simptoma të problemeve me frymëmarrje nuk u kërkohet më të testohen për koronavirus.

Gahr Store theksoi megjithatë se “pandemia nuk ka mbaruar” dhe këshilloi personat e pavaksinuar dhe ata në grupet e rrezikut që të vazhdojnë të praktikojnë distancimin shoqëror dhe të mbajnë maska ku distancimi nuk është i mundur.

Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik (FHI) tha se vendi nuk ka parë ende kulmin e rritjes së variantit Omicron, por pritej së shpejti.

Drejtoresha e agjencisë, Camilla Stoltenberg u tha gazetarëve se numri i shtrimeve në spital ishte rritur me 40 për qind javën e kaluar.

FHI vlerëson se tre deri në katër milionë njerëz nga një popullsi prej 5.4 milionë banorësh mund të infektohen deri në këtë verë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë