Bota

Norvegjia lëshon alarmin: Rusia ka vendosur anije me armë bërthamore në Baltik

Gazeta Si – Rusia ka filluar vendosjen e anijeve taktike të armatosura bërthamore në Detin Baltik për herë të parë në 30 vjet, tha shërbimi norvegjez i inteligjencës në raportin e tij vjetor të cituar nga “Politico”.

“Pjesa themelore e potencialit bërthamor është në nëndetëset dhe anijet sipërfaqësore të Flotës Veriore”, vunë në dukje “007”-at e Oslos, duke shtuar se armët bërthamore taktike janë “një kërcënim veçanërisht serioz në skenarë të ndryshëm operacionalë, në të cilët mund të përfshihen vendet e NATO-s”.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të hënën kapën katër avionë luftarakë rusë në afërsi të Alaskës.

NORAD (Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut), raportoi se kishte zbuluar avionë rusë, duke përfshirë bombarduesit TU-95 BEAR-H dhe një luftëtar SU-35, që vepronin brenda Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës (Adiz).

Zyrtarët e NORAD thanë se ata prisnin aktivitetin rus dhe vendosën shpejt dy avionë luftarakë F-16 për të zmbrapsur aeroplanët rusë.

Dy avionë luftarakë F-35, një E-3 Sentry dhe dy tankera KC-135 Stratotankers u dërguan gjithashtu në zonë.

NORAD theksoi se incidenti nuk lidhet në asnjë mënyrë me objektet e parë dhe të rrëzuar në qiellin mbi Amerikën e Veriut javën e kaluar.

Më herët, dy avionë luftarakë holandezë F-35, interceptuan tre avionë rusë pranë Polonisë dhe i shoqëruan nga distanca derisa u larguan nga hapësira ajrore e vendit.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria Holandeze e Mbrojtjes. Dy avionët luftarakë u ngritën pas aktivizimit të alarmit holandez të veprimit të shpejtë në Poloni dhe e bënë këtë për të identifikuar dhe shoqëruar një formacion avionësh që ishte ende i panjohur në atë kohë, tha ministria.

Një nga ata avionë “u afrua zonës së përgjegjësisë së NATO-s polake nga Kaliningrad”, enklavës ruse që ndodhet midis Polonisë dhe Lituanisë. “Pas identifikimit të tyre, u zbulua se ishin 3 avionë: një rus IL-20M Coot-A që shoqërohej nga 2 SU-27 Flankers”.

“F-35 holandez shoqëruan formacionin (rus) nga distanca dhe ia dorëzuan partnerëve të NATO-s”. Tani për tani ka tetë F-35 holandeze në Poloni, për muajt shkurt dhe mars. Katër nga këta avionë luftëtarakë janë në bazën ajrore Malbork për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore të NATO-s në Evropën Lindore. Katër të tjerët po përfundojnë një program stërvitor me aleatët, por “mund të përdoren edhe menjëherë nëse situata e kërkon”, përfundon shënimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë