Pronarja e një stende tregu, Kadriye Dogru, këto ditë po e ha drekën me disa simite bajate me susam sipër.
E veja, që është nënë e dy fëmijëve, thotë se këto ditë mbetet pa drekë në mënyrë që të mund t’i shtrojë ushqim në tryezë familjes së saj gjatë ditës.
Paratë që 59-vjeçarja fiton duke shitur xhupa dhe veshje të tjera në tregun “Ortakcilar” të Stambollit nuk po i mjaftojnë më dhe ajo mezi po ia del që të blej ushqime.
“Nuk kisha përjetuar kurrë një jetë kaq të mjerueshme. Shkoj të fle, zgjohem dhe çmimet janë rritur. Bleva një bidon vaj gatimi 5 litra, ishte 40 lira. U ktheva, ishte 80 lira”, tha ajo. “Ne nuk e meritojmë këtë si komb.”
Shumë njerëz në Turqi po përballen me vështirësi të shtuara pasi çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera janë rritur.
Ndërsa rritja e çmimeve të konsumit po prek vendet në mbarë botën teksa ato po dalin nga pandemia, ekonomistët thonë se inflacioni i madh në Turqi është përkeqësuar nga keqmenaxhimi i ekonomisë, shqetësimet mbi rezervat financiare të vendit dhe shtysa e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të ulur normat e interesit.
Ai pretendon se kostot më të ulëta të huamarrjes do të nxisin rritjen ekonomike, megjithëse ekonomistët thonë se e kundërta e kësaj është e vetmja mënyrë për të zbutur çmimet në rritje.
Lira turke ka rënë në nivele rekord kundrejt dollarit amerikan, pasi banka qendrore e vendit ka ulur normat e interesit, duke nxitur shqetësimet për pavarësinë e saj.
Të zënë në këtë mes janë turqit e zakonshëm që përpiqen të sigurojnë bukën e gojës.
“Gjithçka është kaq e shtrenjtë, nuk mund të blej asgjë,” tha Suheyla Poyraz ndërsa shikonte tezgat me ushqime në tregun Ortakcilar.
Amvisa 57-vjeçare ka votuar për partinë e Erdoganit dhe i ka bërë thirrje qeverisë të veprojë për t’i dhënë fund inflacionit.
“Nëse ju jeni qeveria dhe nëse po ju votojmë për t’i rregulluar gjërat, pse nuk po ndërhyni? Pse nuk po ndaloni rritjen e çmimeve?” -tha Poyraz.
Inflacioni i lartë ka dëmtuar vlerësimet e popullaritetit të Erdoganit, vitet e hershme të pushtetit të të cilit u karakterizuan nga një ekonomi e fortë.
Sondazhet e opinionit tregojnë se një aleancë e partive opozitare që kanë formuar një bllok kundër partisë në pushtet të Erdoganit dhe aleatëve të saj nacionalistë, po e ngushtojnë me shpejtësi hendekun.
Qeveria turke thotë se inflacioni u rrit gati 20% në tetor krahasuar me një vit më parë, por Grupi i pavarur i Kërkimit të Inflacionit, i përbërë nga akademikë dhe ish-zyrtarë të qeverisë, e vendosi atë afër 50%.
Në krahasim, çmimet në SHBA u rritën rreth 6% nga një vit më parë – më së shumti që nga viti 1990 – dhe inflacioni në 19 vendet e Bashkimit Europian që përdorin euron kaloi 4%, më i larti në 13 vjet.
Monedha e Turqisë, si rezultat, arriti nivelin më të ulët historik prej 10 kundrejt dollarit amerikan javën e kaluar dhe ka humbur rreth 25% të vlerës së saj që nga fillimi i vitit. Kjo po rrit çmimet, duke i bërë importet, karburantet dhe mallrat e përditshme më të shtrenjta. Ndërsa disa argumentojnë se një lira më e dobët i bën eksportuesit turq më konkurrues në ekonominë globale, shumica e industrisë së Turqisë mbështetet në lëndët e para të importuara.
Ka shqetësime për ndikimin e Erdoganit mbi politikën monetare. Ai ka emëruar katër guvernatorët e bankës qendrore që nga viti 2019 dhe ka shkarkuar bankierë që thuhet se i kanë rezistuar uljes së normave të interesit. Banka ka ulur normat me 3 pikë përqindjeje që nga shtatori dhe do të publikojë vendimin e fundit të enjten.
Në të kundërt, bankat qendrore në vendet e tjera të goditura nga pandemia kanë rritur normat ose po mendojnë ta bëjnë këtë në muajt në vijim pasi rezervat në porte dhe fabrika, mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e kostove të energjisë kanë rritur çmimet.
Investitorët e huaj kanë hedhur poshtë asetet turke dhe turqit i kanë konvertuar kursimet e tyre në valuta të huaja dhe ar.
“Ka pasur një shitje masive në tregjet financiare vetëm për shkak të kësaj ndërhyrjeje ndaj pavarësisë së bankës qendrore,” tha Ozlem Derici Sengul, një ekonomist dhe partner themelues i Spinn Consulting me qendër në Stamboll. “Ka disa faktorë që lëvizin si inflacionin ashtu edhe çmimet e tregut financiar por faktori dominues është politika e bankës qendrore.”
Ajo vlerëson se më shumë se gjysma e popullsisë “po përballet me të ardhura”.
Ndërkohë, Erdogan këmbëngul se ekonomia është e fortë dhe se vendi po del nga pandemia në gjendje më të mirë se të tjerët.
“Raftet në Europë janë bosh, janë bosh në Shtetet e Bashkuara. Lavdi Zotit, po vazhdojmë me bollëk dhe bollëk”, ka thënë ai.
Qeveria e tij ka fajësuar çmimet e tepruara të ushqimeve për zinxhirët e supermarketeve dhe ka urdhëruar një hetim që ka rezultuar në gjoba. Ai gjithashtu ka urdhëruar kooperativat bujqësore të hapin një mijë dyqane të reja në të gjithë vendin në një përpjekje për të mbajtur çmimet e ushqimeve të ulëta.
Më herët, ai akuzoi një grup studentësh që flinin jashtë në parqe për të protestuar për çmimet e larta të banesave dhe konvikteve për “terrorizëm”. Ndërkohë, qiratë janë rritur dhe çmimet për shitjet e shtëpive, kryesisht të lidhura me dollarin, po rriten.
Në një përpjekje për të lehtësuar vuajtjet, Ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore,Vedat Bilgin tha këtë muaj se qeveria po punonte për të rregulluar pagën minimale për të mbrojtur punëtorët kundër rritjes së çmimeve.
“Ne po punojmë për të hequr çështjen e pagës minimale nga rendi i ditës – tashmë mund të them se kjo do ta lehtësojë situatën,” tha ai.
Ekonomistët thonë se kjo nuk mjafton.
“Inflacioni dhe të ardhurat e ulëta dhe shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave do të kenë më shumë efekte anësore në 2022 dhe 2023 nëse qeveria vazhdon të insistojë në norma të ulëta interesi, politika të lirshme monetare dhe përgatitjet zgjedhore,” tha Sengul.
Musa Timur, i cili zotëron një dyqan ushqimesh në Stamboll, tha se çmimet në rritje e bëjnë të vështirë për të zëvendësimin e produkteve.
“Çdo produkt që ne shesim – nuk mund ta marrim me të njëjtat çmime,” tha ai.
Ai tha se klientët e tij nuk janë më në gjendje të përballojnë një shumëllojshmëri ushqimesh dhe kryesisht blejnë bukë, makarona dhe vezë.
Burimi: Associated Press/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje