Politike

Nuk ka dritë në fund të tunelit për qeverinë në Kosovë

Shpresat për formimin e një koalicioni qeveritar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po vijnë duke u shuar.

Asnjëra prej partive nuk po bën hapa pas për postin e kryetarit të Kuvendit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje. Ndërkohë që Albin Kurti dogji të mërkurën një ditë nga afati 15 ditor për formimin e qeverisë, LDK-ja mblodhi në mesnatë kryesinë e saj për të diskutuar për fatin e koalicionit.

Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, nuk zbuloi asnjë detaj për mediat, duke e bërë edhe më të paparashikueshme atë që pritet të ndodhë.

Sipas analistit Veton Surroi LKD-ja dhe VV duhet që pari të zgjedhin çështjen e presidentit të ardhshëm, që sipas tij nuk duhet të jetë partiak dhe të
rikthehen në negociata me një qasje tjetër.

“Presidenti është një prej pengesave të mëdha dhe konstante për arritjen e marrëveshjes por nuk ka nevojë të jetë e tillë”, thotë ai. Sipas Kushtetutës dhe vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti/ja nuk i “përket” asnjë partie politike, prandaj zgjedhja e Presidentit/es duhet të jetë pjesë e koncensusit brenda koalicionit qeverisës dhe atij me opozitën”, argumenton Surroi.

Nëse LV dhe LDK arrijnë pajtim për presidentin, atëherë Surroi thotë se do të forcohet balanci i pushtetit mes tyre.

“Pasi të jetë zgjidhur kjo çështje, atëherë dy partitë mund t’u rikthehen çështjeve të mbetura,”, përfundon ai.

Ndërkohë, në deklaratën e saj të fundit, LDK-ja thotë se roli i LDK-së duhet të jetë i barasvlefshëm me LV-në, në rast se dy partitë duan që të arrijnë marrëveshje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se LDK-ja nuk nënshkruan koalicionit pa marrë kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Veton Surroi, Gazeta Si, 2020

“Nga sot e tutje kanë mbetur pak ditë deri më 4 shkurt dhe pjesa me madhe e marrëveshjes është arritur, por duhet të jetë ndarje të barabartë të pushteteve”, thekson ai.

Sipas tij LDK-ja e ka bërë të qartë, ose shkon me VV në qeveri ose shkon në opozitë.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje”, përfundoi ai.

Dështimi ev i negociatave ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovë , do të sillte në tavolinë të gjitha opsionet tjera rezervë, përfshirë edhe zgjedhjet e reja apo qeverinë teknike.
Albin Kurtit i ka mbetur më pak se një javë afat kushtetues, që të arrijë marrëveshjen dhe formojë qeverinë Në rast se ai dështon, fillon afatit i dytë kushtetues prej 10 ditësh, i cili do t’i jepej LDK-së si partia e dytë më e votuar në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik në Kosovë, se ka dy opsione. “Opsioni i parë është që i mandatuari i dytë të formojë qeverinë,nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të krijojë shumicën parlamentare. Dhe versioni tjetër është me shumë gjasë një qeveri e përkohshme teknike deri në vjeshtë, që të krijohen kushtet për funksionim normal të institucioneve dhe pastaj zgjedhjet e reja në vjeshtë”, tha Rashiti.

Naim Rashiti thotë se nëse Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja, atëherë partia apo partitë që do të negocionin për formimin e qeverisë dhe ndarjen e pushtetit, do të mund të flisnin edhe për postin e presidentit të ardhshëm, pasi Hashim Thaçit i mbaron mandat në pranverën e vitit 2021.
Ndërkohë sipas analistit Imer Mushkollaj, duke qënë se Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë deklaruar se nuk do të formojnë një koalicion me ndonjë parti tjetër, atëherë kjo nënkupton që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Zgjidhja e vetme është mbetet organizimi i zgjedhjeve të reja. Une pres të ketë presion ndërkombëtar për formimin e qeverisë sidomos për arritjen e marrëveshjes me Serbinë”, tha Mushkolaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë