Kuvendi nuk ka mundur të votojë për herë të dytë radhazi ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese që parashikon rritjen e pagave për gjyqtarët kësaj trupe.
Pavarësisht dakordësisë së dhënë nga grupimi i Lulzim Bashës, nisma u hoq nga rendi i ditës kur u konstatua se në sallë nuk mund të plotësoheshin 84 vota.
Ndryshe nga grupi ‘Basha’ deputetët e tjerë demokratë nënvizojnë se një vendim i tillë krijon disbalancë me gjyqtarët e këtij institucioni dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar.
Rritja e pagave për gjyqtarët e Kushtetueses nuk mori kuorumin jo për mungesë deputetësh sa duket, por vullneti, sa kohe që shumicën e cilësuar, Kuvendi e arriti në miratimin e disa ndryshimeve në ligjin për shtetësinë.
Kjo nismë u miratua me 95 vota pro dhe 1 kundër. Ndryshimet e propozuara në ligjin për shtetësinë krijojnë mundësinë për përthithjen e talenteve të reja, të cilët nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Që do të thotë se qytetarët nga vendet ku Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare, ku përfshihen Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.
Deputetët e opozitës shprehën shqetësimin se përmes kësaj nisme ligjore do të ketë pasoja sociale, ndikim negativ, probleme të sigurisë, trafikimit e kriminalitetit. Megjithatë kjo nuk i ka penguar që një pjesë e tyre të bashkojnë votat për ta miratuar me një kuorum të konsiderueshëm, ndërsa e kundërta ka ndodhur për pagat e gjyqtarëve që sa duket nuk po përqafohet as nga deputetë të grupit të PS.
I fundit ishte Fatmir Xhafaj që abstenoi për rritjen e pagave në mbledhjen e komisionit te Ligjeve
“Dini ndonjë rast kur Gjykata Kushtetuese ka dënuar ndonjë me burgim të përjetshëm? Po që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të kenë hequr dorë nga privatësia dhe janë kushtëzuar në një sërë të drejtash dhe liri që u njeh kushtetuta, që i barazoni në këtë mënyrë?”, është shprehur më herët Xhafaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje