Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar për herë të parë pas rezultatit të zgjedhjeve, ku forca politike që ai drejton nuk arriti të marrë më tepër se 10 mijë vota dhe asnjë mandat deputeti.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Patozi nuk shpreh kundërshti për rezultatin, por kritikon fushatën për “jetë a vdekje” të polarizuar në ekstrem nga forcat e mëdha politike.
“Populli nuk gabon asnjëherë, kur voton. Kjo aksiomë vlen për të gjitha zgjedhjet. Dhe asgjë nuk mund ta justifikojë mosarritjen e objektivit për një forcë politike, pavarësisht rrethanave. Kur dëgjuan kushtrimin për rrëmbime sfurqesh dhe sëpatash, shqiptarët, me sa duket, menduan si gjënë e parë të ruanin kokën, ndaj edhe i ranë shkurt, – thotë me ironi ish-deputeti demokrat. – Zgjodhën të mos ndëshkojnë ata, që kishin qeverisur keq, por më shumë ata që premtonin se do t’ua bënin si në Elbasan atyre që nuk u bindeshin. Dhe ndoshta, jo për meritë të tyre, fituan ata që i frikësonin më pak, ose më mirë ata që mund t’i ruanin nga ata të tjerët”.
Ai thekson se polarizimi i qëllimshëm i fushatës e ndau si me thikë shoqërinë në bardhë e zi dhe nuk pati më vend për ngjyra të tjera. Kaq e thjeshtë është ajo që ndodhi.
Patozi falënderon të gjithë mbështetësit dhe thotë se ideja e Bindjes Demokratike për “një Shqipëri normale” do të vijë një ditë.
“Ky besim vjen nga bindja e fortë se Shqipëria qeveriset keq, ngaqë është marrë peng prej një grushti personash, të cilët kanë ngritur dhe ushqyer një sistem të mbyllur politik, ku është vrarë gara dhe konkurrenca e lirë. Shqipëria fiton vetëm atëherë kur kjo guaskë do të çahet dhe jo kur ata që e kanë krijuar këtë përbindësh marrin pushtetin apo e ruajnë atë, siç ndodhi edhe në këto zgjedhje”, – përfundon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje