Komisioni Qendror i Zgjedhjeve la në detyrë kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim që kishte marrë vite më parë në Greqi.
Për Partinë Demokratike, vendimi i njoftuar nga Komisioneri Ilirjan Celibashi është shkelje e hapur e ligjit të dekriminalizimit.
“Vendimi i sotëm i komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për të amnistuar uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit me 3 vite burg në Greqi, është në shkelje të ligjit dhe në kundërshti me tre precedentë për të cilët KQZ ka vendosur ndërprerjen e mandatit”, deklaroi deputeti i zgjedhur i PD, Belind Këlliçi.
PD thotë se për të njëjtat arsye u është hequr mandati deputetëve Dashamir Tahiri, Aqif Rakipi dhe Gledion Rahovicës.
“Qerim Ismailaj është subjekt ndalimi i ligjit të dekriminalizimit. Ai përfshihet në shkronjën “ç” të pikës 1, të nenit 2 të ligjit, për shkak se ka kryer një krim dhe është dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim. Për këtë rast ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, deri në momentin e rehabilitimit. Qerim Ismailaj jo vetëm nuk e ka përfunduar dënimin, por e ka fshehur atë dhe vendimi nuk është ekzekutuar sipas ligjit”, vijoi deklarata.
Vendimin e Celibashit, PD e lexon si tregues të vullnetit të mbrapshtë politik për të goditur ligjin e dekriminalizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje