Politike

Nuk siguroi votat vetjake, Bushati: Fushatën e përqëndrova te vota për partinë

Ervin Bushati nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të ri, megjithëse renditej i treti në listën e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës.

Ai, së bashku me Fidel Yllin u zëvendësuan nga Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi, që thyen herësin me votën personale.

Bushati, kryetar i PS-së së Tiranës siguroi vetëm 2990 vota vetjake. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai thotë se fushatën nuk e përqëndroi te emri i tij, por tek emri i partisë.

“Unë si qytetar i Tiranës, i pari i kryesisë së PS Tiranës, punova fort për objektivin e Partisë Socialiste: pastër, drejtë dhe suksesshëm. PS Tiranë mori një numër rekord votash: +19,042 më shumë se në vitin 2017, falë përpjekjes sonë të përbashkët në këto dy vite bashkë.
Në cilësinë e Kryetarit të PS Tiranë ndieja se kisha përgjegjësinë për të gjithë përfaqësuesit e Partisë Socialiste Tiranë dhe u sigurova që energjia jonë të shkonte për të mirën e madhe: PS 12”, thotë ai.

Në fund, Bushati falenderon mbështetësit dhe u kërkon ndjesë që për një pjesë nuk janë realizuar pritshmëritë nga këto zgjedhje.

“Më e rëndësishme dhe më e bukur është fitorja e madhe e PS. Tani na pret një punë edhe më e madhe”, mbyll reagimin e tij kreu i PS-së për Tiranën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë