Politike

Numri i viktimave të Covid përplas Ramën me Bashën në Kuvend

Lulzim Basha ishte i pranishëm në sallën e seancave plenare të Kuvendit gjatë prezantimit të programit qeverisës për mandatin e tretë nga Kryeministri Edi Rama. Prezantimi, që zgjati pak më shumë se 1 orë e 20 minuta u ndërpre vetëm tre herë nga deputetët e Partisë Demokratike.

Në dy rastet e para ndërhyrja ishte nga deputeti Ervin Salianji dhe në një rast nga vetë Lulzim Basha. Ky i fundit u përplas me Kryeministrin Rama në momentin kur ky i fundit po fliste për menaxhimin e pandemisë, që e cilësoi një sukses dhe planin për vaksinimin e të gjithë popullatës.

“Sikur virusi që gjunjëzoi botën të kishte gjetur Shqipërinë me shëndetësinë, me drejtuesit pa kokë të sistemit shëndetësor, siç e gjetëm ne, pa platformën e-Albania, parafytyroni karantinën e përgjithshme pa pasur mundësinë që të dilnin për leje. Shqipëria nuk u gjunjëzua në kohën e pandemisë”, tha Rama.

Duke ndërhyrë nga vendi dhe pa mikrofon, Basha akuzoi Ramën se ka fshehur viktimat reale të Covid. Zyrtarisht, viktimat nga Covid janë pak më shumë se 2500 vetë, ndërsa kreu i PD-së pretendon se ky numër është të paktën 8 herë më i lartë.

“Fol për të vdekurit, ke 16.000 të vdekur. 16 mijë vdekje! Fol për ata!”, tha Basha.

Rama e ironizoi nga foltorja dhe i kujtoi kohën e takimeve para dhe gjatë fushatës së Lulzim Bashës me tubime njerëzish.

“Meqë po ndërhyni sistemi i shëndetësisë përballoi edhe aleancën tuaj me virusin. I dhatë një shtytje të lehtë, po nejse.

Pjesa e parë e seancës për prezantimin e programit u mbyll me një minutë heshtje të deputetëve të mbajtur me propozim të Tritan Shehut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë