Futboll

Nxehen gjakrat, zyrtari i Lacios: Kampionati në fushë, ose në gjykatë!

Drejtuesit e Lacios nuk heqin dorë nga qëndrimi i tyre për ta mbyllur kampionatin e Serisë në fushë, pavarësisht se situata mbetet e vështirë në Itali dhe rifillimi i garës shihet me skepticizëm. Arturo Diakonale, përgjegjësi i komunikimit te klubi i Tares dhe Strakoshës, për “Tmw Radio” ka theksuar se verdiktet duhen dhënë në fushë. Lacio është në vend të dytë, 1 pikë pas Juventusit dhe shanset për titullin kampion janë reale.

“E ndjekim me vëmendje situatën. Shenjat janë se do të rifillojë kampionati, mbetet të përcaktohet kur dhe si do luhen ndeshjet, në mënyrë që të ketë garanci për shëndetin për të gjithë, duke nisur nga futbollistët. Ndeshjet do të luhen pa tifozë, të paktën në këtë fazë të parë”, – thotë zyrtari i Lacios, Diakonale, i cili ka replikuar shpesh me presidentin e Breshias, Çelino, që është kategorikisht kundër rifillimit të garës. Së fundi ka pasur një debat edhe me drejtorin e organizatës së shëndetit në Itali, që beson pak te zhvillimi i ndeshjeve në fushë.

Arturo Diakonale, përgjegjës i komunikimit te Lacio. Gazeta Si, 15 prill 2020

Ka një hipotezë që të mos luhen më ndeshje në veri të Italisë, ku pasojat e pandemisë kanë qenë mjaft të rënda. Diakonale nuk e mohon këtë hipotezë, edhe pse pohon se klubet i kanë mundësitë për të mbrojtur punonjësit e tyre. “Sigurisht, është e komplikuar situata, sidomos në zonat më të nxehta. Vërtet futbolli është sport kontakti, por kontakti nuk do të thotë infektim. Problemi është që të mos ketë kontakte të futbollistëve që rezultojnë pozitivë me ata që janë të shëndetshëm. Nuk është e lehtë për dikë që ka simptoma që të pranojë tamponin. Lojtarët jetojnë në ndërtesa që janë të mbrojtura nga ana sanitare. Nëse garantohet mundësia për të pasur kontrolle, nuk do të ketë të infektuar”, – shton drejtuesi i Lacios.

Në fund ai ka qenë i prerë sa i takon fundit të kampionatit, duke u shprehur se duhet të vendoset në fushë, në të kundërt çështja shkon në gjykatë. “Nuk mund të çojmë në krizë një sektor të tërë. Nëse nuk mbyllet ky kampionat, sigurisht kampionati i ardhshëm është fals. Nëse nuk mbyllet gara në fushë, do të shkojmë në gjykatë. Uroj të jetë fusha që të vendosë fituesin, kush fiton dhe kush humb, kush shkon në parajsë dhe kush në ferr”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë