Kryeministri Edi Rama foli për një “dorë” që po shpif me lajme të rreme duke folur për nxjerre studentësh nga konviktet për strehimin e afganëve.
Ai thotë se “ajo dorë shpifëse është turpi i Shqipërisë”.
“Lidhja e strehimit paraprak të afganëve që janë si ne 30 vjet më parë, me gjoja nxjerrjen e studentëve nga konviktet është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhuar shpifjet më të ulëta në këtë vend! Ajo dorë është turpi i Shqipërisë”, shkruan Rama.
Kryeministri nuk përmend asnjë emër kur foli për persona dhe grupe të caktuara që po fabrikojnë shpifje, sipas tij.
Megjithatë, nga Partia Demokratike ka reaguar deputetja e zgjedhur, Albana Vokshi.
Vokshi shkruan përmes rrjeteve sociale se “shqiptarët e njohin shpifësin më të madh në këto 30 vite”, madje thotë se përmes shpifjeve, Rama pengoi liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
“Prodhuesin numër një të shpifjeve në këto 30 vite shqiptarët e njohin mirë. Ia njohin bëmat, sidomos ato që nuk synonin vetëm dëmtimin e imazhit të Shqipërisë, por edhe pengimin e një prej arritjeve më të mëdha për shqiptarët, liberalizimin e vizave.
Turpet e tua nuk i ka harruar njeri, prandaj kursejua qytetarëve shkulmet prej hipokriti”, mbyll reagimin deputetja e zgjedhur e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje