Politike

Objekti i reformës zgjedhore, ku ndahen e ku bashkohen PS-PD

Bisedimet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore janë drejt fundit dhe palët, sipas një deklarate të bërë nga kreu i grupit parlamentar të PS-së kanë thuajse dakordësi të plotë për formatin dhe përbërjen e komisionit.

Por, ajo që ka ngelur pa zgjidhur ende mes tyre është objekti i punës së komisionit, pra thelbi i punës se çfarë do të propozohet dhe ku do të propozohet për t’u ndryshuar.

“Jemi në punë e sipër, 95% e punës është bërë deri më tani. Jemi duke saktësuar edhe një çështje të fundit që ka të bëjë më objektin e komisionit”, tha Taulant Balla.

Burime të Gazetasi.al pohojnë se PS këmbëngul që objekti i punës së Komisionit të Posaçëm të adresojë të gjitha rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR. Sipas socialistëve këtu nuk duhet të ketë as mungesë dakordësie dhe refuzimi nga ana e opozitës.

Por, mes rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë është edhe depolitizimi i administratës zgjedhore. Për këtë pikë PD ka shprehur rezerva duke arsyetuar se Shqipëria nuk është gati për këtë pjesë dhe së më parë duhet ndërmarrë dhe përfunduar një reformë reale të depolitizimit të administratës në tërësi.

Gjithashtu, një tjetër ndasi që Gazetasi.al mëson se palët kanë në lidhje me objektin ka të bëjë edhe me ndërhyrjet në Kushtetutë. PD kërkon që Komisioni ta ketë objekt pune zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të korrikut të vitit të kaluar, që komplikuan koalicionet parazgjedhore dhe për të cilat nuk dha dakordësinë atëherë.

Thellësia e reformës dhe shtrirja e saj përveç Kushtetutës edhe në ligjet e tjera, që kanë të bëjnë me buxhetin, investimet dhe tenderat para proceseve zgjedhore është një tjetër çështje ku palët kanë ndasi. PD kërkon qartësimin dhe ashpërsimin e ndalimit të atyre që i quan “investime elektorale”, ndërsa PS ka shprehur rezerva duke arsyetuar se këto vendime mund të ndëshkojnë qytetarët duke i privuar nga investime që përmirësojnë jetesën e tyre.

Një prej pikave ku duket se ka dakordësi lidhet me ligjin për financimin e partive politike, i ndryshuar së fundmi pas marrëveshjes së 5 majit dhe për të cilin të dyja palët pritet që të shkojnë drejt një ujdie për të mos ndërhyrë më në këtë ligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë