Organizata Botërore e Shëndetësisë është akuzuar për komplot me ministrinë italiane të shëndetësisë për të hequr një raport që zbulonte keqmenaxhimin nga Italia të krizës në fillim të pandemisë, botimi i së cilës kishte për qëllim parandalimin e vdekjeve në të ardhmen.
Italia ishte vendi i parë europian që u përfshi nga pandemia. Raporti, i hartuar nga shkencëtari i OBSH-së Francesco Zambon dhe 10 kolegë të tij në të gjithë Europën, u financua nga qeveria e Kuvajtit me synimin për të siguruar informacion për vendet që ende nuk ishin goditur. Dokumenti u botua në faqen e internetit të OBSH-së më 13 maj përpara se të hiqej ditën tjetër. Raporti me 102 faqe tha se plani i Italisë për përballimin e pandemisë nuk ishte azhurnuar që nga viti 2006 dhe se për shkak të kësaj papërgatjeje përgjigja fillestare nga spitalet ishte “e improvizuar dhe kaotike.
Dokumenti dyshohet se u hoq me kërkesë të Ranieri Guerra, ndihmës drejtori i përgjithshëm i OBSH-së për iniciativat strategjike. Guerra ishte drejtori i përgjithshëm në ministrinë italiane të shëndetësisë midis viteve 2014 dhe 2017, dhe për këtë arsye ishte përgjegjës për azhurnimin e planit pandemik sipas udhëzimeve të reja të paraqitura nga OBSH dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Guerra është ndër shkencëtarët që po këshillon qeverisë italiane.
Plani i vjetruar është një element thelbësor në hetimet paraprake që po kryhen nga prokurorët në Bergamo, provinca e Lombardisë e goditur më shumë gjatë valës së parë të pandemisë, për neglizhencë të mundshme kriminale nga autoritetet. Vdekjet e shkaktuara nga Covid-19 në Itali i tejkaluan 60,000 raste të dielën.
Hetuesit po përdorin gjithashtu një raport të përpiluar pas valës së parë nga një gjeneral në pension i ushtrisë, Pier Paolo Lunelli, i cili arriti në përfundimin se deri në 10,000 vdekje mund t’i jenë atribuar mungesës së protokollit kundër pandemisë.
Zambon, i cili është i vendosur në zyrën e OBSH-së në Venecia, është thirrur tre herë për të folur me prokurorët, por është parandaluar ta bëjë këtë nga OBSH, i cili ka insistuar që ai dhe 10 studiuesit e tjerë të përfshirë në përpilimin e raportit duhet të kenë imunitet.
Thirrja e fundit e Zambon nga prokuroria ishte në 10 dhjetor, por përsëri ai u bllokua për të shkuar pavarësisht se kërkoi leje. “Kur mora thirrjen e parë e raportova atë në zyrën ligjore të OBSH-së dhe menjëherë pasi ata u përgjigjën duke thënë se nuk mund të shkoja pasi isha i mbrojtur nga imuniteti, pavarësisht nga fakti se doja të shkoja pasi kisha diçka për të thënë”, tha Zambon për “The Guardian”.
Zambon pretendon se Guerra e kërcënoi me pushim nga puna nëse nuk modifikon pjesën e tekstit që i referohet planit të vjetruar. Ai tha se pavarësisht informimit të zyrtarëve të lartë të OBSH-së për rëndësinë e transparencës dhe neutralitetin e organizatës, asnjë hetim i brendshëm nuk u krye.
Zambon pretendon se një muaj para botimit ai i dërgoi një përshkrim të gjetjeve Guerra, i cili e ndau atë me ministrin e shëndetit të Italisë, Roberto Speranza.
Email-et e dërguara në maj në Zambon nga Guerra dhe Hans Kluge, drejtori i OBSH-së në Europë, gjithashtu duket se pasqyrojnë një pakt të bërë me ministrinë italiane të shëndetësisë për të mbajtur zhdukur raportin. /The Guardian/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje