Bota

OBSH qorton vendet e zhvilluara për dozën e tretë: Imorale!

Organizata Botërore e Shëndetësisë qortoi vendimin e vendeve të zhvilluara për të vaksinuar me dozat e treta qytetarët e tyre, ndërsa miliona të tjerë në mbarë botën nuk kanë marrë asnjë dozë.

OBSH thotë se nuk ka prova shkencore të mjaftueshme që të vërtetojnë se doza e tretë është aq e domosdoshme në luftën kundër pandemisë, ndërsa akuzoi autoritetet e vendeve të zhvilluara se po nxitojnë në këtë drejtim.

“Shpërndarja e dozave përforcuese të treta dhe të dyta për ata ta vaksinuar me Johnson&Johnson në një kohë që miliona të tjerë në botë presin marrjen e një doze të parë është imorale”, tha OBSH.

“Po u hedhim jelekë të tjerë shpëtimi njerëzve që e kanë tashmë një jelek shpëtimi, ndërsa njerëz të tjerë po mbyten”, tha Mike Ryan, drejtori i programit të emergjencave shëndetësore në OBSH.

Në fillim të muajit gusht, OBSH kërkoi një moratorium kundër dozave përforcuese. Kohëzgjatja e këtij moratoriumi të propozuar nga OBSH ishte deri në momentin kur të ishin vaksinuar me të paktën një dozë të gjithë qytetarët në vendet e varfra.

Vende si SHBA, Izraeli dhe Britania e Madhe kanë miratuar dozat përforcuese. Në Izrael numri i qytetarëve që kanë marrë dozat e treta ka shkuar në rreth 2 milionë vetë, ndërsa në SHBA është caktuar data 20 shtator për nisjen e këtij programi vaksinimi.

Për doza përforcuese po flasin gjithnjë e më shumë edhe vendet e Bashkimit Europian, si Gjermania e Franca, por që ende nuk kanë miratuar një program vaksinimi për to.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë