Politike

Oferta e grupit të PD për PS / 3 komisione hetimore dhe bashkëdrejtimin tek reforma zgjedhore. Gështenja: S’kemi kusht dosjen McGonigal  

Nga Gazeta Si – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike e ka një zgjidhje se si Kuvendi mund t’i kthehet normalitetit.

Pas kaosit shoqëruar ditën e enjte, dhe bllokimit të punimeve nëpër komisionet parlamentare ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2024, deputetët e PD-së e kanë një propozim (i pari i artikuluar në publik deri më sot) që konsiston në një zgjidhje të mesme pas tetë komisioneve hetimore që ata kanë propozuar.

Nga 8 komisione, PD lëshon 5 prej tyre përfshi edhe dosjen ‘McGonigal’.

Kusht i panegociueshëm mbetet bashkëdrejtimi i komisionit për reformën zgjedhore.

Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja, ishte i vetmi që pohoi ofertën e kompromisit të enjten në mbrëmje, në morinë e zërave opozitare që mbizotëronin ekranet televizive.

Në foto: Deputeti i PD-së, Lefter Gështenja në emisionin “Debat”

“E vetmja zgjidhje është tërheqja e kësaj mazhorance. Nëse nesër mblidhet parlamenti me kërkesë të kësaj mazhorance dhe bie dakord për ngritjen e tre komisioneve hetimore si dhe miratimin e përfaqësuesve të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore i sigurt dhe i bindur 1000% që ky Parlament i kthehet normalitetit, dhe arenës së debateve e alternativave”, tha Gështenja i ftuar në emisionin ‘Debat’ në A2CNN.

Sipas tij kjo nuk është ofertë por e drejtë legjitime e opozitës.

“Janë tre komisione hetimore të propozuara herën e fundit; i pari është komisioni për koncesionin në shëndetësi, i dyti për sistemin TIMS dhe i treti ai për konfliktin e interesit…”, tha Gështenja. I pyetur konkretisht për komisionin hetimor ndaj McGonigal, Gështenja nuk dha komente më shumë, duke saktësuar se tre komisionet hetimore si kusht janë të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë