Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin për vetëdeklarimin e pasurisë 6 të dënuarve të tjerë. Eldi Çala, Klement Çala, Luan Kokomani, Përparim Bermuça, Durim Bermuça dhe Arian Plaku do të duhet që të justifikojnë pasuritë e tyre tek SPAK.
Dy vëllezërit Çala nuk janë të padëgjuar për policinë. Ata janë të përfshirë në grabitjen e Rinasit ku arritën të largoheshin me 4.6 milionë euro. Ata u arrestuan më 19 Mars të këtij viti pas 1 viti që i fshiheshin drejtësisë. Dy vëllezërit nga Elbasani u gjetën në fshatin Qerret.
Ata jetonin në një banesë me qira, ku u gjetën armë dhe municione, një sasi parash dhe mjete motorike që i përdornin për t’iu shmangur policisë.
Në prill të vitit të kaluar së bashku me disa persona të tjerë, ata hynë në pistën e aeroportit të Rinasit me një makinë me logo “Hetimi Tatimor” dhe grabitën sasinë e parave në kohën që do të transportoheshin me avion jashtë shtetit.
Autorët u ndoqën nga policia, dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vdekur Admir Murataj. Deri tani policia ka vënë në pranga 7 prej bashkëpunëtorëve. Në kërkim ngelet vetëm Talo Çela, që dyshohet se ka modifikuar furgonin me logo “Hetimi Tatimor” me të cilën u realizua grabitja.
Klement Çala akuzohet edhe për grabitjen e blindave me para në vitin 2017 në rrugën Qafë Kashar – Rinas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje